“Po bën grusht shteti”, Bersha: Rama të japë dorëheqjen, ndryshimet janë anti-kushtetuese

Nga Anesti Barjamemaj
17 Shkurt 2026, 15:35 | Politikë

“Edi Rama duhet të japë menjëherë dorëheqjen”. Me këtë kërkesë të prerë ndaj kryeministrit, e nisi Sali Berisha komunikimin e tij me median duke akuzuar kryeministrin se është duke konsumuar grusht shteti me propozimin për të ndryshuar Kodin e Procedurës Penale që mbron nga pezullimi veten dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë.

“Kushtetuta nuk ka dashur të mbrojë kryeministrin, ministrat dhe KLSH-në nga pezullimi. Nuk mund ta bëjë ligji. Nuk mund t’u japësh kurrë mbrojtje tjetër përveç asaj që i ka dhënë Kushtetuta. Jo. Sepse është tejkalim flagrant i Kushtetutës”, tha Berisha, përcjell A2 CNN.

Për Berishën ndryshimet e propozuara janë në kundërshtim me frymën dhe germën e Kushtetutës, por edhe me një vendim të vetë Gjykatës Kushtetuese të vitit 2002, kur është tentuar shtimi i mbrojtjes ligjore për kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. “Kur në vitin 2002, parlamenti në një akt marrëzie si ky që duan të bëjnë tani, miratoi ligje dhe amendamente për të mbrojtur kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, vendimi numër 212 i vitit 2002 i Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese hodhi në kosh të plehrave amendamentet, ligjin e ndryshuar për një mburojë më të madhe të kryetarit të KLSH, që Edi Rama sot do t’ia japin”.

Por Berisha gjen shkelje edhe në parimet e ligjit themeltar të shtetit, ku sipas tij nuk mund të barazohet imuniteti i të zgjedhur me të emëruarit. “Përpjekja për të barazuar personat e emërtesës me të zgjedhurit është një shkelmim tjetër flagrant i Kushtetutës. Është një tejkalim flagrant i Kushtetutës. Sepse edhe fakti se imuniteti nuk ka të bëjë me pezullimin”.

I pyetur nëse do t’i dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese ndryshimet e propozuara nga Edi Rama, Berisha tha se ende nuk e ka marrë një vendim të tillë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos