"Po iku Rama, kush do të vijë?", Haçkaj: Ky është dështimi më i madh i qeverive shqiptare

Nga A2 CNN
28 Nëntor 2026, 21:36 | Politikë

"Po iku Rama, kush do të vijë?", Haçkaj: Ky

Florian Haçkaj, nga Diaspora për Shqipërinë e Lirë, u shpreh se dështimi më i madh i qeverive shqiptare është mentaliteti që duhet të ketë patjetër “një të parë që duhet të thotë diçka për çdo gjë”.

“Mund të bashkohemi rreth kauzave. Nuk kemi nevojë ta pëlqejmë shumë njëri-tjetrin, të biem dakord me çdo gjë, por mund të bashkohemi rreth kauzave. Më 18 tetor thashë në shesh “hajde bashkohemi t'i japim kësaj një zë politik”. Unë e thashë që dal unë garant t'ju ndihmoj me organizimin. Le të dalë i parë kush të dojë. Madje, edhe këtë “të parin” ne duhet ta humbim si mendësi. Prandaj dhe unë dhashë shembullin tek diaspora duke mos pranuar mandat të tretë sepse ne duhet të japim shembullin që është forca e grupit, jo individit. Këtu çfarë thonë? Po iku Rama, kush do të vijë? Ose po iku Berisha, kush do vijë? Po pse duhet të vijë një? Duhet të funksionojë gjëja. Duhet të funksionojë shteti. Ky është dështimi më i madh i Ramës dhe i çdo qeverie në Shqipëri, që ka një të parë që duhet të thotë diçka për çdo gjë. Shteti ka hallka, paguhet dhe ka njerëz profesionistë që duhet të funksionojnë hallkat”, tha Haçkaj në studion e “Terminal” nga Loneta Progni, në A2CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos