Çështja e pensioneve u shoqërua me debat në emisionin “Off the Record” në A2CNN, ku ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, u përball me pyetjet e gazetarit Andrea Danglli lidhur me diferencën mes pagave të parlamentarëve dhe pensioneve.
Pyetjes së gazetarit se si ia shpjegoni një pensionisti faktin që parlamentarët i rrisin rrogat njëri-tjetrit, por jo pensionet, ministri iu përgjigj me kundërpyetje.
“Ju kujtoni se ne nuk na dhimbset kjo pjesë?”, e pyeti ministri Gonxhja gazetarin, i cili u përgjigj: “Besoj se nuk ju dhimbset”.
Konstatimi nuk u pranua nga ministri, i cili vijoi me argumentet se çështja e pensioneve është një plagë e trashëguar.
DEBATI
Gonxhja: Skema e pensioneve nuk mundet dot papritur të injektohet me kapital apo me fonde në një vend që duhet të injektojë njëkohësisht në infrastrukturë, projekte, punësime, etj. etj. sepse e vetmja mënyrë e shëndetshme se si fondi i pensioneve mbushet dhe zgjerohet është nga kontributet që vijnë nga pagat.
Danglli: Po por si ia shpjegoni një pensionisti z.Gonxhja që ai thotë parlamentarët ia rrisin rrogat njëri-tjetrit, po neve thonë?
Gonxhja: Ju kujtoni se ne jemi budallenj?
Danglli: Jo absolutisht jo.
Gonxhja: Ju kujtoni se ne nuk na dhimbset kjo pjesë?
Danglli: Besoj se nuk ju dhimbset z.Gonxhja.
Gonxhja: Po jo pra tani.
Danglli: Besoj se nuk ju dhimbset.
Gonxhja: E kuptoj mënyrën me humor se si ma the.
Danglli: Jo nuk e thashë me humor fare këtë pjesë.
Gonxhja: Është një nga plagët që ne trashëgojmë.
Dervishi: Cili vend në Europë e ka këtë raport të rrogave të deputetëve me pensionet?!
Gonxhja: Nuk ka lidhje fare. (A2 Televizion)