Politologu Afrim Krasniqi debatoi me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja, lidhur me ato që ai i konsideroi si etiketime, sulme dhe denigrime nga ana e qeverisë kundrejt protestuesve.
Duke iu drejtuar ministrit, Krasniqi u shpreh në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN se PS që flet për persona të përfshirë në incidente të dhunshme ka pasur në radhët e saj në Parlament, kriminelë dhe trafikantë.
Ndërkaq ministri Gonxhja theksoi se është merita e qeverisë që kemi protesta demokratike në Shqipëri, duke u shprehur se dikur mund të vriteshe nëse protestoje.
DEBATI
Krasniqi: Ne jemi në ditën e 30-të të protestës dhe kemi komente mbi të, por asnjë akt zyrtar për t’iu përgjigjur shqetësimeve që kanë protestuesit. Kemi vetëm gjej një njeri etiketoje, sulmoje, denigroje, anatemoje, një parti politike që na thoshte deri dje s’e di me çfarë merret zv.kryeministri, ministrat, kryetari i bashkisë! Nuk e dimë se ku kanë shitur drogë në Zvicër apo Itali dhe s’e dimë se si i morëm ata për t’i bërë kryetarë bashkie apo deputetë! Për ata nuk e dinin, por po doli njeri për të folur aty, ja bëjnë CV-në për 5 minuta! I thonë ka patur incidente të dhunshme kur ne kemi pasur në Parlament kriminelë, trafikantë, dhe njerëz që në asnjë shoqëri dhe vend serioz s’duhet të ishin pjesë e asnjë vendimmarrjeje politike. Kemi rastin e fundit, që një deputet u shërben grupeve kriminale dhe blen mandatin në Durrës dhe ne e dimë që kush ka qenë drejtues i Durrësit. Të thuash që qeveria ka meritë që këta po protestojnë paqësisht është një non sens i madh!
Gonxhja: Patjetër. Në kohën që protestonim ne të dy Afrim edhe mund të vriteshe! Ka meritë, ka meritë.
Krasniqi: S’është meritë e juaja, është e kohës.
Gonxhja: Është meritë e qeverive kur ka demokraci të këtij niveli. Është e Shqipërisë e të gjithëve ne. Kjo që shohim sot, që bëjnë karnavale, është meritë e të gjithëve ne. Kemi arritur një standard ku mund të protestosh....
Krasniqi: S’është mbrojtje për kryetarin kjo, është fyese për shoqërinë.
Gonxhja: Unë s’kam ardhur s’e më ka thënë kryetari.
(A2 Televizion)