Florian Binaj, i cili shprehu ambicien për të qenë kryetar bashkie dhe mori mbështetjen e Partisë Demokratike, duket se po pëlqehet edhe nga forcat aleate.
Pasi Sali Berisha deklaroi se Binaj do të jetë kandidati që do të mbështetet prej tyre, edhe aleatët e demokratëve po tregojnë se aktori i njohur i pëlqehet edhe prej tyre.
Kreu i PAA, Agron Duka në një postim në mediat sociale shkruan se vlerësojnë kandidaturën e Binajt.
“PAA e sheh pjesëmarrjen e tij si një alternativë ndryshe, që sjell frymë bashkëpunimi dhe përfaqësim dinjitoz të qytetarëve. Ne besojmë se bashkimi i forcave opozitare rreth figurave me integritet dhe përgjegjësi është rruga e duhur për të rikthyer besimin e qytetarëve në politikë dhe administrim lokal”, shkruan Duka.
Edhe Partia e Lirisë konfirmon për A2 se mbështet kandidaturën e Florian Binaj ne garën për zgjedhjet e kreut të ri të Bashkisë Tiranë.
Më herët edhe kreu i Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj ka shprehur mbështetjen për Binajn. Parti të tjera aleatë të PD dhe Mundësia ende nuk kanë mbajtur qëndrim për këtë kandidaturë. (A2 Televizion)