Kemi hyrë tashmë në atë cikël gjatë së cilit premtimet e palëve politike, në qeveri apo në opozitë, shpërthejnë në një nivel të paimagjinueshëm. Shqiptarët kanë dëgjuar rregullisht të tilla përgjatë dekadave të fundit. E njëjta po ndodh edhe në prag të zgjedhjeve të 11 majit. Të majtë e të djathtë po bëjnë “be e rrufe” t’i kthejnë dinjitetin fermerëve shqiptarë.
“Oferta që japin partitë politike në periudhë zgjedhjesh nuk është e panjohur. Nuk është se këto premtime të bëra tani nuk janë bërë më përpara”, tha Agim Rrapaj.
Partia Socialiste në qeverisë prej 12 vitesh premton që në mandatin e katërt të rrisë në 500 milionë euro buxhetin për bujqësinë, ndërsa Partia Demokratike në opozitë zotohet për 5-fish të buxhetit për sektorin që punon e jeton gati gjysma e popullsisë.
“Premtohet për financim në shuma të larta, por pa specifikuar se ku do të gjenden këto para. Në momentin ku ne jemi aktualisht, me fondet e BE të pezulluara, ne kemi parë, ne kemi parë që nga viti në vit vlera e skemave mbështetëse në bujqësi është ulur”, shprehet Esmeralda Ballesha.
Votën në këmbim të një premtimi. Kështu funksionon marrëdhënie mes partive politike që si ofertë kanë programin elektoral, ndërsa qytetarët vendosin me votë duke zgjedhur ofertën më të mirë. Por në drejtim të bujqësisë, bindëse nuk duken as premtimet e parive të vogla apo të reja.
“Të cilat duket sikur janë me pika më specifike se si do të ndërhyjnë në pjesën e bujqësisë. Por edhe këto premtime janë larg nevojave që sektori ka. Një pjesë e tyre duken të ricikluara nga e shkuara”, shton Ballesha.
Po për çfarë ka nevojë bujqësia në 4 vitet e ardhshme në veçanti?
“Ne na shqetëson veçanërisht kooperimi. Kemi mbi 71 për qind të fermerëve të paregjistruar. Synojmë të hyjmë në BE, por nuk mund ta bëjmë me këtë model bujqësie”, shton Rrapaj.
Të jesh i madh, jo gjithmonë do të thotë se ke avantazh. Shembulli më i mirë në vend është bujqësia. Kontributi i saj në ekonomi është mbi 16 për qind e totalit, por sektori merr vetëm 1.9 për qind të Buxhetit të Shtetit.
“Kam shkruar një artikull në vitet 2000 ku thosha se bujqësia është si puna e një lope që milet tre herë në ditë dhe ushqehet vetëm një herë. Kjo lopë, në këtë rast bujqësia është e destinuar të vdesë”, shprehet eksperti Zef Gjeta. (A2 Televizion)