Tarifat e vendosura nga SHBA ishin një prej shqetësimeve të ngritura nga fermerët e Beratit, në një takim që zhvilloi me ta Kryeministri Rama.
Përtej konstatimit të paqartësisë së momentit, shefi i qeverisë u detyrua të ngrinte supet pa pasur mundësi të ofrojë një zgjidhje.
“Sa i përket tarifave, është një konfuzion shume i madh. Për momentin ato janë të ngrira, nuk ka zhvillime. Do shikojmë si do zhvillohet, se s’kemi dhe ne ndonjë gjë në dorë."
Më konkretisht në lidhje me garancinë shtetërore që do të ofrojë qeveria në linjat e financimit bankar për fermerët.
“Më vjen shumë mirë që kemi në dispozicion për ju një instrument të ri financiar, 250 milionë euro. Një linjë financimi inovative që të marrim kredi me 70% kolateral të garantuar nga shteti dhe me një normë interesi më pak se 3%.”
“Pasaporta europiane”, shpjegoi Rama, do t’u mundësojë mbështetje financiare në nivel akoma më të madh.
“Kemi objektiv të shkojmë në 1 miliard eksporte. Është shumë objektiv ambicioz. Kemi kaluar gjysmë miliardi që ishte e paimagjinueshme. Në momentin që ne bëhemi anëtarë të BE-së, se kjo është diçka e llogaritur, 300 milionë euro janë vetëm për fshatin dhe bujqësinë. Llogariteni se çfarë kapërcimi eksponencial.”
Takimi i dha mundësinë edhe për ngacmime elektorale.
“Më vjen mirë që më në fund e shoh edhe Fatos Nurellarin këtu bashkë me ne, i veshur me blu kuptohet. Me kuadrate blu me të bardhë, kthyer flamuri i partisë së tij në një këmishë trendi.” (A2 Televizion)