Kryeministri Edi Rama është shprehur se personazhi i rrjeteve sociale, Ilir Vrenozi, është lideri i vërtetë i Partisë Demokratike.
Komentet Rama i bëri gjatë fjalës së tij në një takim në Skrapar, ku tha se fjalimi i Ilir Vrenozit në mitingun e PD-së në Korçë, është fytyra dhe programi i Aleancës për Shqipërinë Madhështore.
Ai tha gjithashtu se politika u ka borxh fëmijëve që t’u lërë në dorë pasaportën e BE-së, teksa shtoi se shqiptarët duhet të votojnë masivisht PS-në, pavarësisht nëse u pëlqen apo jo lideri i kësaj force, që është vetë Rama.
“Sot Shqipëria ka arritur aty ku nuk ka qenë kurrë dhe sot flamuri shqiptar respektohet dhe vlerësohet dhe dinjiteti i Shqipërisë është vënë në vend. Prandaj ata kanë hapur derën edhe për interesin e tyre, jo vetëm tonin. Kush është më pranë që ata ta marrin e ta fusin brenda që ata t’I tregojnë botës se po zgjerohemi? Është Shqipëria.
Ata na kanë thënë bëni procedurat e negociatave deri në 2027 dhe hajdeni. Ne na ka ardhur mundësia që të përmbushim profecinë e Gjergj Kastriotit. Edhe kërkesa e të gjithë fëmijëve tanë, borxhi që u kemi fëmijëve tanë, është që t’u lëmë pasaportën europiane në dorë.
Tani si mund të vihen këto në diskutim se s’të pelqen PS dhe Edi Rama? Ti mund të pëlqesh Ilir Vrenozin që është lideri i vërtetë i PD-së. Fjalët e tij në sallën në Korçë janë programi i PD-së”, tha Rama, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)