Presidenti Begaj pret Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa

Nga A2 CNN
2 Qershor 2026, 11:43 | Politikë
Presidenti Begaj pret Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa.

Në njoftimin e Presidencës lexohet se "gjatë këtij takimi u vlerësua progresi i spikatur i vendit tonë në procesin e negociatave, përfshirë mbajtjen e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare BE–Shqipëri, e cila konfirmoi përmbushjen e kritereve ndërmjetëse për Kapitullin 1 “Themeloret”.

Presidenti i Republikës i përcolli bashkëbiseduesit vendosmërinë e Shqipërisë për të plotësuar agjendën dhe objektivat për mbylljen e grupkapitujve brenda vitit 2027.

“Reforma në drejtësi, forcimi i shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe përputhja e plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së dëshmojnë se Shqipëria është një partner i besueshëm dhe vullnetplotë për të qenë pjesë e familjes evropiane”, - u shpreh Kreu i Shtetit, shkruan A2.

“Zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor nuk është vetëm një proces integrimi, por një investim strategjik për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e gjithë kontinentit evropian”- deklaroi Presidenti Begaj duke falenderuar Presidentin Costa për prioritizimin. e procesit të zgjerimit të BE- së me vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë mandatit të tij.

“Shqipëria është mirënjohëse për mbështetjen e fuqishme që Këshilli dhe Komisioni po i japin Shqipërisë në këtë rrugëtim. Shqipëria do të vijojë me ritëm të shpejtë dhe rezultate konkrete në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.. Jemi të bindur se reformat nuk i bëjmë vetëm si kërkesa të BE-së, por mbi të gjitha për qytetarët tanë.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos