Gjykata Kushtetuese ka njoftuar vendimin lidhur me kërkesën e deputetëve të Partisë Demokratike për rrëzimin e dy komisioneve hetimore, për çështjen “McGonigal” dhe për zgjedhjet e 11 Majit.
Trupa kushtetuese ka legjitimuar kërkuesin për vënien në lëvizje të gjykatës, por nuk ka pranuar të gjitha kërkesat e parashtruara nga demokratët. Në vendimin e gjykatës argumentohet se lidhur me çështjen e ish-agjentit të FBI, Charles Mcgonigal, nuk mund të ngrihet një komision hetimor, duke lënë kështu në fuqi vendimin e Kuvendit për rrëzimin e kërkesës së ¼ të deputetëve.
Gjykata Kushtetuese shprehet: “Gjykata nuk arriti shumicën e kërkuar nga ligji për të vlerësuar kriterin kushtetues “çështje e veçantë” të lidhur edhe me ekzistencën e indicieve të qarta, për shkak të qasjeve të ndryshme në arsyetim, sipas të cilave ky komision nuk duhej ngritur për shkaqe që lidheshin me indiciet apo parimin e ndarjes së pushteteve”.
Por trupa kushtetuese arsyeton ndryshe sa i takon çështjes tjetër, ngritjes së komisionit hetimor për zgjedhjet e 11 Majit 2025.
Gjykata Kushtetuese vijon: “Gjykata vlerësoi njëzëri, ndonëse me linja të ndryshme arsyetimi, se kërkimi për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencave të krijuar nga vendimi i Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e projektvendimit “Për ngritjen e Komisionit Hetimor për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së organeve të pushtetit qendror dhe pushtetit vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025””, si dhe shfuqizimin e këtij vendimi, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, duhet pranuar, pasi plotëson njëkohësisht kriteret kushtetuese të ngritjes së komisionit hetimor sipas nenit 77, pika 2, të Kushtetutës dhe jurisprudencës kushtetuese”.
Për Gazment Bardhin, kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, gjykata nuk ka bërë drejtësi kushtetuese por politike.
Kryetar i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi shprehet: “Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese për pranimin e kërkesës për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, kurse rrëzimin e kërkesës për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për aferën korruptive McGonigal, është dëshmi flagrante e presionit politik ndaj kësaj Gjykate. Por pavarësisht kësaj "e mirëkuptoj" Gjykatën Kushtetuese lidhur me vendimin e sotëm. Fundja, afera “McGonigal” është funerali politik i Edi Ramës dhe Gjykata jonë Kushtetuese kurrsesi nuk do mund të kishte guximin profesional për ta organizuar atë".
Bardhi në reagimin e tij anatemon edhe SPAK për moshetim të çështjes McGonigal, ku pohon se kallëzimi i vitit 2023 i bërë prej tij po mbahet në sirtar. (A2 Televizion)