
Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm paraditen e së martës në Konkursin Ndërkombëtar për Rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve.
Në këtë konkurs ishin 5 skuadra finaliste që prezantuan përpara jurisë projekt-idetë e tyre arkitekturore.
Kreu i qeverisë tha se qëllimi final është që kjo ndërtesë madhështore që mbart vlera historike për vendin, të integrohet me kohën, teknologjinë, cilësinë, por gjithmonë duke ruajtur identitetin e saj.
“Falënderoj studiot pjesëmarrëse. Ka qenë një pjesëmarrje e konsiderueshme, jo një vendim i lehtë për të zgjedhur 5 finalistët. Sot që flasim, bashkë me këtë konkurs, jemi në 15 konkurse të realizuara ndërkombëtare. Kemi 3 konkurse që janë duke u përgatitur. Të gjitha janë të standardeve më të larta ndërkombëtare. Janë aktualisht 12 kontrata të lidhura, 7 kontrata janë në proces, 3 master plane. Janë 20 objekte publike për zhvillim. Përfitueshmëria ekonomike e kontraktuar është mbi 1 miliardë euro. Sipërfaqja e tokës e vënë në dispozicion për këto projekte është 46 700 metra katrorë dhe sipërfaqja e përfituar për nevojat e shtetit dhe institucioneve është 267 mijë metra katrorë. Janë 355 mijë metra katrorë të përfituara nga sipërmarrja. Është një partneritet me sipërmarrjen, ku shteti adreson nevojat duke vënë në dispozicion tokën, por jo më si në të kaluarën, jo duke e dhënë për zhvillim me kosto dhe përfitime simbolike, por duke u kthyer në zotërues të madh asetesh me vlerë që janë në dispozicion të shtetit. Përmes kësaj po ndodh edhe një transformim i rëndësishëm i strukturës urbane dhe cilësisë së ndërtimeve që ndodhin”, tha Rama, shkruan A2.
“Pallati i Kongreseve ka probleme serioze për t’u adresuar. Është koha për një transformim duke ruajtur identitetin e tij. Thirrja në bashkëpunim e sipërmarrjes nënkupton edhe zhvillimin e një objekti pranë Pallatit të Kongreseve, ose të disave, varet nga projekti. Qëllimi është që ky pallat të vijë në kohë nga pikëpamja e teknologjisë, cilësisë së hapësirave, apo gjithë strukturës së riorganizuar dhe të riangazhuar cilësisht, por edhe që ky pallat dhe kjo zonë të bëhen një destinacion tjetër i Tiranës turistike dhe i aktiviteteve të përditshme”, shtoi kryeministri. (A2 Televizion)