Ka mbërritur në Kryeministri, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili është pritur nga kreu i qeverisë, Edi Rama. Të dy do të zhvillojnë një takim kokë më kokë në godinën e qeverisë.
Pak para mbërritjes në Kryeministri, Zelensky ka reaguar për vizitën e tij në Tiranë ku shprehej se do të takohej me kryeministrin Rama, të cilin e quan mik të palëkundur të Ukrainës.
Presidenti ukrainas theksoi se do të diskutojnë bashkëpunimin në mbrojtje dhe politike, mbështetjen për Formulën e Paqes dhe marrëveshjet e sigurisë.
“Sot punoj ne Tirane. Do të takoj mikun e palëkundur të Ukrainës, kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe do të marr pjesë në samitin Ukrainë-Evropa Juglindore. Në bisedimet tona dypalëshe me Kryeministrin dhe ekipin e tij, do të diskutojmë bashkëpunimin në mbrojtje dhe politik, mbështetjen për Formulën e Paqes dhe marrëveshjet e sigurisë. Shqipëria është një nga vendet që ka nënshkruar Deklaratën e Vilniusit të G7, të cilën ne e vlerësojmë shumë. Ne do të diskutojmë rrugën tonë të përbashkët drejt qëllimit euroatlantik në samitin Ukrainë-Evropë Juglindore, i cili tashmë po mbahet për herë të dytë. Unë do të propozoj mbështetjen e përpjekjeve të Ukrainës për të arritur paqen e drejtë dhe të qëndrueshme, si dhe organizimin e Samitit Global të Paqes në Zvicër. Do të zhvilloj edhe bisedime dypalëshe me pjesëmarrësit e samitit”, shkruan Zelensky.
Zbulohet axhenda:
Sipas axhendës së publikuar, rreth orës 9:30 të dyja delegacionet do të kenë një takim bilateral, ndërsa rreth orës 10 është planifikuar firmosja e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Ukrainës.
Më pas rreth orës 11:30, kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të mbajnë fjalët hapëse të sesionit.
Ndërsa në orën 13:00 do të jetë edhe fotoja familjare e pjesëmarrësve. Samiti mbyll punimet në orën 13:30, në një konferencë të përbashkët Rama-Zelensky. (A2 Televizion)