
Kryetari i PD, Sali Berisha, foli në protestën e mbajtur para Kryeministrisë edhe për kërkesën e Prokurorisë Speciale për të dënuar me nga 45 vite burg komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Të dashur miq, dje në Hagë prokuroria paraqiti një pretencë kundër ish-udhëheqjes politike të Kosovës, identike me pamfletet e propagandës së verbër ultranacionaliste serbe”, tha Berisha, përcjell A2 CNN. “Nga kjo platformë, në emrin tuaj u bëj thirrje gjykatësve të vlerësojnë gjithçka mbi bazën e ligjit, të shpallin pafajësinë e atyre burrave që me guxim dhe heroizëm mbrojtën dhjetëra mijëra shqiptarë nga gjenocidi më i egër, gjenocidi serb”.
“Zotërinj gjykatës, Ballkani ka njohur gjenocide të tmerrshme dhe dy janë sot faqezinjtë më të mëdhenj të tyre, Aleksandër Vuçiç në Beograd, që mori pjesë safarin e qytetarëve në Sarajevë dhe që nuk njeh gjenocidin serb në Bosnje. I dyti, argati i tij Edi Rama, që ka përzënë 1 milion shqiptarë”, shtoi Berisha. (A2 Televizion)