Në një bashkëbisedim me pensionistët për skemën e re të pensioneve, kryeministri Edi Rama ka prezantuar drejtorin e ri të Tatimeve.
Ilir Binaj sipas shefit të qeverisë është rikthyer në Shqipëri pas një eksperience 10-vjeçare në fushën e kontabilitetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan A2.
“Po ndërhyj për të prezantuar drejtorin e ri të Përgjithshëm të Tatimeve, i cili ka ardhur me ftesë thirrje nga Ministri i Financave dhe nga unë pas një përvojë 10-vjeçare në SHBA në fushën e taksave dhe auditit de natyrisht edhe përvojës së mëparshme në këtë fushë edhe në Shqipëri. Ai është këtu sot për anën tjetër të medaljes. Është shumë e rëndësishme që të gjithë të jenë të qartë se pse pensionet janë pjesa më e vështirë për çdo shtet. Merrni shtetin më të zhvilluar Gjermaninë, çdo shtet të rajonit tonë, merrni, zgjidhni dhe do shihni se pensionet janë pjesa më e vështirë”, tha Rama.
Binaj do të zëvendësojë në këtë post Eldjana Çelajn, e cila u komandua si drejtoreshë e Tatimeve në qershor të këtij viti kur nga posti u largua Ceno Klosi, I cili mori detyrën e zv.ministrit të Infrastrukturës dhe Energjitikës.
Sakaq kryeministri Rama tha në fjalën e tij se së bashku me Binajn, qeveria do të punojë për të riorganizuar skemën e pensioneve, për të cilën pranoi se mbetet një ndër sfidat më të vështira.
Kreu i ekzekutivit theksoi se pensionet janë çështje e të gjithë shoqërisë dhe baza për rritjen e tyre është imponimi te qytetarët dhe bizneset i detyrimit për të paguar kontributet dhe sigurimet shoqërore, raporton A2.
“Do të përpiqemi të ndajmë me ju dhe me gjithë shoqërinë edhe pse kjo çështje nuk është çështje e buxhetit të shtetit si arka e qeverisë, që qeveria mund të vendosë çfarë të dojë. Jo, kjo është çështje e përbashkët e shoqërisë. E të gjithë atyre që në Republikën e Shqipërisë fitojnë para. Sepse çdo kush që fiton para me një pagë sado të vogël, me një biznes sado të vogël, brenda atij fiti ka detyrimin ligjor të japi atë që u takon pensionistëve përmes skemës. Që ne të rrisim kapacitetin për të pasur në vijim një rritje të qëndrueshme dhe të arsyeshme të pensioneve ne duhet patjetër të rrisim kontributet dhe ta imponojmë këtë rritje kontributesh për ata që fitojnë për vete dhe vjedhin pensionistët, duke mos paguar për sigurimet shoqërore”, deklaroi kryeministri. (A2 Televizion)