Propozimi i Dash Shehit: Prokurorëve të SPAK duhet t’ju jepet një mandat i dytë

Nga A2 CNN
4 Shkurt 2026, 21:59 | Politikë

Kreu i LZHK-së Deputeti Dash Shehi propozoi në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, zgjatjen e mandatit të prokurorëve të SPAK, duke argumentuar se ata nuk duhet të lihen pa mbrojtje institucionale në përballjen me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Sipas tij, një mandat i dytë do t’u jepte siguri dhe vazhdimësi hetimeve, duke shmangur rrezikun që prokurorët të largohen pasi kanë hapur çështje të ndjeshme.

“Ato prokurorë që po përplaset me kriminele, atyre duhet t'ia shtojmë mandatin. T'i japim një mandat të dytë. Ku do i dorëzosh ti ato? Në rrugë? Në rrugë do ikin ato mbasi kanë bërë luftë me kriminelët. E kush e merr përsipër atë atje në shoqërinë shqiptare? Kështu që parlamenti këtë e ka dorë, mbështetja duhet të kthehet në veprim legjislativ. Opozita këtë e ka në dorë. Të thotë atje këto zotëritë kanë mandat gjashtë vjet, bëja 12 që të ndjehen të sigurt. Kjo është mbështetje që i jep opozita drejtësisë. Ata po bëjnë luftë, t'i japin një mandat që të ndihen pak më të sigurt. A mjafton mandati për t'i bërë më të trima ata?  Jo. A mjaftojnë rrogat ndonjëherë për t'i bërë më pak të korruptuar gjykatësit? Asnjëherë. Kuptoni se këtu ka njerëz që kanë fituar miliona dhe s'paskan të ndaluar. Jo ai rrogëtari” tha Shehi në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Shehi theksoi se reforma në drejtësi ka dështuar në disa aspekte, përfshirë mungesën e gjykatave funksionale dhe numrin e pamjaftueshëm të magjistratëve, por vlerësoi SPAK dhe GJKKO. Sipas tij  kanë shënuar hapa konkretë me arrestime dhe hetime të paprecedenta.

“Drejtësia për qytetarin që ka 30 mijë dosje në gjykatë të lartë sigurisht që nuk është drejtësi. Unë jam vetë prej këtyre të dosjeve atje që kemi 12 vjet që presim vendimet për këtë punë. Absolutisht jam dakord. Ka gjykata pa godinë, ka gjykata me godinë pa gjykatës. E njëjta gjë për prokurorët. Mungon numri i magjistratëve atje. E gjithë kjo që u bë dhe për reformë nga kjo pikëpamje për mua ka dështuar. Kemi një segment; këto dy gjykata speciale me thënë të drejtë që të mos bëjmë sikur s'i shohim. Në qoftë se janë arrestuar pesë, gjashtë vetë, në qoftë se janë hetim ca emra, që është hera e parë që ndodh në këtë shejtan shteti, është e jashtëzakonshme. S'ka ndodhur ndonjëherë. Atëherë t'i biem me shkelm dhe kësaj pune që t'i dekurajojmë dhe ato për këtë punë që po bëjnë”, tha Shehi në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Sipas Shehit, opozita duhet ta kthejë mbështetjen ndaj drejtësisë në veprim konkret ligjvënës, duke ndërmarrë iniciativa që forcojnë institucionet dhe mbrojnë prokurorët nga presioni politik.

Ai kritikoi gjithashtu përdorimin e administratës publike për qëllime elektorale dhe centralizimin e pushtetit lokal, duke e cilësuar këtë si goditje ndaj demokracisë dhe përfaqësimit.

Shehi bëri thirrje për rinovim politik dhe përfshirjen e fytyrave të reja, duke theksuar se pa një ndryshim brezi dhe mentaliteti, politika shqiptare rrezikon të të mos u ofrojë shqiptarëve një alternativë reale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos