Politologu Ermal Hasimja, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, deklaroi se “me shumë gjasa, protesta e radhës pas asaj të 10 shkurtit do të dalë nga tryeza e partive opozitare”.
“Protesta do të funksionojë atëherë kur në shesh nuk do të jenë thjesht militantët dhe aktivistët e Partisë Demokratike, ose edhe të partive të tjera, se me shumë gjasa protesta e ardhshme pas kësaj do dalë nga tryeza që po organizojmë. Në momentin që këtyre protestave i bashkohen pastaj edhe qytetarët e tjerë që nuk janë drejtpërdrejt të angazhuar apo të lidhur me partitë, ajo e bën dallimin. Ky është objektivi që mendoj që jo duhet ta kenë, por besoj se e kanë në fakt edhe Partia Demokratike edhe partitë e tjera të opozitës”, tha Hasimja.
Sipas tij, “e kemi parë që në ato raste kur kanë funksionuar protestat, për shembull si në rastin e mbetjeve kimike, ky ishte elementi që e ka bërë dallimin”.
“Po mos ishin në shesh njerëz që s'kishin lidhje me partitë, kjo e tremb pushtetin, se në fakt është gjithë ajo masë e madhe njerëzish. Po të shohësh edhe sondazhet sot, ke nga 20 deri 25% që nuk e dinë se për kë do votojnë, që janë të zhgënjyer nga qeverisja dhe kanë rezerva ndaj këtyre të opozitës. Megjithatë, mund të ndodhë edhe që të bëhet edhe ajo dhe prapë mos të realizohet çështja e qeverisë teknike. Por, të paktën mesazhi jepet dhe ai është një mesazh pastaj goxha intimidues për qeverinë. E dyta, edhe për mobilizim të mëtejshëm të opinionit publik. E treta, jep dhe një mesazh në opinionin publik ndërkombëtar, se një nga arsyet pse kemi një lloj qëndrueshmërie dhe rezistence të qeverisë aktuale është sepse e ka gjetur mënyrën se si të paktën me faktorin ndërkombëtar ta amortizojë problematikën që ekziston në Shqipëri”, theksoi Hasimja. (A2 Televizion)