
Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, është shprehur se procesi i nisur me protestën e sotme të opozitës përpara godinës së Kryeministrisë, do të mbyllet me rrëzimin e Edi Ramës nga pushteti.
Komentet Baçi i bëri në një lidhje live për A2 CNN, teksa ndodhej në shesh, në protestën e thirrur nga Partia Demokratike.
Baçi tha gjithashtu se PD dhe opozita është gjithmonë për qëndresë dhe rezistencë paqësore, por nuk përjashtoi as mundësinë e akteve të dhunshme, teksa tha se në fund janë qytetarët që do të vendosin nëse do të dalin jashtë kornizave ligjore.
“Është një proces që patjetër do të ketë vetëm një përfundim, rrëzimin e Edi Ramës. Do vijojë procesi. Askush nuk mund të përcaktojë revoltën e brendshme të qytetarëve sesi do të jetë sot, si do të jetë pas 2 orësh apo në ditët në vijim. PD dhe opozita është gjithmonë për protestë paqësore. Pra kur themi qëndresë, rezistencë, fjala është për rezistencë demokratike brenda kornizave ligjore.
Patjetër që qytetarët pastaj janë ata që vendosin për të dalë edhe jashtë kornizave. Patjetër që partnerët ndërkombëtarë duhet të jenë ata që duhet të gjykojnë dhe veprojnë, jo si deritashmë për mënyrën sesi ka qeverisur ky zotëri, për mënyrën sesi grabiti zgjedhjet e 11 majit”, tha mes të tjerash Baçi. (A2 Televizion)