Gent Strazimiri, deputet i Partisë Demokratike, foli për protestën qytetare që dje ishte në ditën e saj të pestë.
Protestuesit dje shpalosën edhe 5 kërkesat që kanë për qeverinë, ku nuk pranojnë dialog me Edi Ramën, por largimin e tij. Ata po ashtu kërkojnë edhe anulimin e investimit në Zvërnec si dhe shfuqizimin e ndryshimeve ligjore të bëra së fundi në ligjin për zonat e mbrojtura, shkruan A2.
Strazimiri e komentoi kështu protestën: “Është Sorosi, është Erjon Veliaj, është cilido tjetër nga rraca e tij që janë të pakënaqur me të dhe dhe që përpiqen t'i marrin hakun. Por, mua kjo s'më shqetëson aspak. E vetmja gjë që kemi për detyrë të gjithë të bëjmë është që ata të mos krijojnë imazhin e gabuar sikur janë vetëm ata në shesh, sikur ata drejtojnë protestën. Kjo nuk është e vërtetë”.
Sa i përket protestave të PD-së, Strazimiri u shpreh: “Në fakt, ne në protestë jemi. Të gjithë demokratët kudo, ku janë e ku s'janë, janë të parët kur dëgjojnë një sinjal që diçka po ndodh kundër Edi Ramës. I çon instikti demokratët atje. Sheshi mbushet nga demokratët. Të jeni të bindur për këtë. 80-85% të pjesëmarrjes atje janë demokratët. Vërtetë ne duhet të organizojmë një protestë politike, por duke dëmtuar këtë protestë qytetare? Duke i bërë hije kësaj proteste qytetare? Nuk e di. Por, hajde të kontribuojmë që këtë protestë që ka lindur, sorosistët, Erjon Velizmat, majtistët, të mos munden ta kanalizojnë siç ndodhi me atë protestën e armëve kimike, që përfundoi me “Faleminderit shumë, zoti kryeministër. Ti je njeriu që na duhesh”. Kjo protestë duhet ujitur dhe duhet ruajtur që të mos përfitojnë ata që s'duhet të përfitojnë nga kjo punë, por të vazhdojë dhe të mbetet një protestë qytetare dhe ta detyrojë horrin që të japë dorëheqjen, jo vetëm thjesht të tërhiqet nga Zvërneci”. (A2 Televizion)