Rama, takim me banorët e Zvërnecit

Nga Fjorela Beleshi
5 Qershor 2026, 13:01 | Politikë

Rama, takim me banorët e Zvërnecit

Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë këtë të premte një takim me banorët e Zvërnecit, mëson A2 CNN.

Takimi është parashikuar të zhvillohet në orën 18:00, në Vlorë. Në të pritet të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të bashkisë.

Të shtunën e kaluar, banorë të zonës, ambientalistë dheaktivistë të shoqërisë civile, u përplasën me rojet e sigurisë të një kompanie private, që kishte rrethuar me gardh plazhin e Pishë Poros. Njëri prej protestuesve u mor zvarrë nga dy persona dhe u qëllua nga një i tretë. Të tre më pas u arrestuan.

Ngjarja shkaktoi reagim dhe prej ditë së diel, çdo pasdite mijëra vetë mblidhen në Tiranë për të protestuar kundër projektit për ndërtimin e një resorti në Zvërnec, me të cilin lidhen edhe Ivanka Trump, vajza e Presidentit amerikan Donald Turmp dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner.

Kryeministri Rama tha se nuk ka ende një projekt konkret për Zvërnecin, por shtoi se aty bëhet fjalë për një investim në tokë private, që sipas tij, do të jetë 4 miliardë dollarë. “Sa kohë të jem unë në detyrë, investimi nuk anulohet”, tha Rama të martën në një konferencë për mediat me Presidentin e Këshillin Europian, Antonio Costa.

Rama deklaroi se protestat janë të nxitura nga faktorë të huaj, që nuk duan zhvillimin e Shqipërisë dhe realizimin e një investimi të këtyre përmasave në vendin tonë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos