
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar lidhur me protestat që po zhvillohen në Tiranë, duke u bërë thirrje qytetarëve amerikanë të shmangin demonstratat dhe të tregojnë kujdes të shtuar për sigurinë personale.
Në njoftimin e saj, ambasada thekson se protestat e përnatshme po vijojnë përpara godinës së Kryeministrisë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, mes sheshit “Nënë Tereza” dhe sheshit “Skënderbej”.
Në njoftim thuhet se “protesta të tjera mund të zhvillohen edhe në ditët në vijim, si në Tiranë ashtu edhe në qytete të tjera të vendit”.
Ambasada vëren se, “megjithëse protestat dhe grumbullimet e mëdha shpesh nisin në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë me shpejtësi. Gjithashtu, protestat mund të shtrihen edhe në zona të tjera pranë institucioneve shtetërore”.
Autoritetet amerikane paralajmërojnë për prani të shtuar të policisë, bllokime rrugësh, devijime të qarkullimit dhe probleme në trafik para dhe gjatë zhvillimit të protestave.
Në këto kushte, Ambasada Amerikane këshillon qytetarët amerikanë që të shmangin pjesëmarrjen në demonstrata, të jenë të vëmendshëm ndaj mjedisit përreth, të ndjekin mediat lokale për informacionet më të fundit dhe të respektojnë udhëzimet e autoriteteve ligjzbatuese.
Po ashtu, ambasada rekomandon që qytetarët të kenë gjithmonë një plan emergjence ose strategji daljeje, të kufizojnë shpërqendrimet në vende publike, si përdorimi i telefonit apo kufjeve, dhe të mbajnë një profil të ulët gjatë lëvizjeve të tyre. (A2 Televizion)