Damian Gjiknuri, kandidati për deputet i PS në Vlorë, foli në Ditarin e mbrëmjes nga Loneta Progni në A2 CNN në lidhje me fushatën zgjedhore dhe pritshmëritë për 11 majin.
Ai u shpreh se me shtimin e votës së diasporës, PS-ja do të synojë të marrë 9 deputetë nga 12 në Qarkun e Vlorës.
“Fushata është e qetë dhe civile dhe presim që këto zgjedhje të jenë shumë më të qeta se të gjitha ato më parë.
Në Vlorë ka një dominim historik të PS-së, gjë që është përforcuar edhe në dy zgjedhjet e fundit, ku PS-ja ka pasur gati 60 përqind të votave. Në Vlorë janë bërë shumë investime, por ka të bëjë edhe me fuqinë që PS ka në terren. Ndërkohë, vota e diasporës me bën më të mundur që të synojmë mandatin e nëntë, edhe pse duket i pamundur. Me votën e emigrantëve, nëse ne marrim ato vota që ne presim, do të arrijmë në këto shifra”, tha Damian Gjiknuri. (A2 Televizion)