Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ftuar në studion e “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN, deklaroi se Partia Socialiste ka rënë në një zi të madh.
“Ka një optimizëm shumë të madh dhe një besim të fortë te opozita për fitoren. E konstatoj këtë si te shqiptarët në Shqipëri, ashtu edhe te ata jashtë. Ka një javë që nuk ia hap më telefonin diaspora. Kanë ra në një zi të madh. 93% e shqiptarëve janë gëzuar që është arrestuar një shtyllë kryesore e korrupsionit, ai del e bën miting në mbrojtje të tij”, tha Berisha.
Kur u pyet pse opozita nuk doli në protestë pas arrestimit të Veliajt për të kërkuar qeverinë teknike, Berisha u përgjigj: “A ka gjë më të këndshme sesa kur proteston Rama kundër vetes së tij? Kur Rama detyrohet të protestojë kundër vetes së tij, atëherë e ka marrë ferra uratën”.
Sipas Berishës, “opozita protestoi 44 javë rresht për konkretizimin e këtij arrestimi”.
“Tani, problemi themelor i qytetarëve është Edi Rama. Sepse ky (Erion Veliaj) e mori të veten. Nuk shpëton dot kurrë njeri nga djegësat, janë afera që tejkalon çdo imagjinatë”, theksoi më tej kreu demokrat.
(A2 Televizion)