Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR publikoi gjetjet e raportit paraprak për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Përfaqësuesja e misionit deklaroi se zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë profesionale dhe ishin konkurruese, por rreshtoi edhe problematikat.
“Zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë profesionale, megjithatë u mbajtën në një klimë tejet të polarizuar. Kandidatët nuk patën mundësi të barabarta. Vota e diasporës, që u zhvillua për herë të parë, u menaxhua mirë, pavarësisht marrëveshjes politike të arritur me vonesë dhe miratimit me vonesë. Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i burimeve administrative gjatë fushatës, duke krijuar një avantazh të padrejtë. Pati edhe raste pretendimesh për presione ndaj zgjedhësve”, thanë nga OSBE-ODIHR, shkruan A2.
Kritika pati edhe për fushatën “online”, ku OSBE/ODIHR tha se nuk kishte një autoritet për të kontrolluar “content”-in manipulativ dhe të dëmshëm.
Pati incidente intimidimi dhe transparence edhe në numërimin e votave. Votuesit nuk patën mundësi që të dëgjonin “rrahje” idesh politike dhe fushata u përqëndrua në sulmet personale, sidomos nga udhëheqësit politikë të partive kryesore. Vendi meriton politikë konstruktive.
Zgjedhjet ishin të qeta dhe të suksesshme, por ka vend për përmirësim.
(A2 Televizion)