“Rriten me 135 euro në muaj pagat për mjekët” Rama: 15 milionë euro fond për trajtimin e pacientëve me sëmundje tumorale

Nga A2 CNN
30 Dhjetor 2025, 11:46 | Politikë

“Rriten me 135 euro në muaj pagat për mjekët” Rama:

Për sektorin e shëndetësisë është parashikuar një fond i posaçëm prej 15 milionë eurosh si fillim për trajtimin e pacientëve me sëmundje tumorale. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në konferencën e fundvitit, ndërsa premtoi rritje page me 135 euro në muaj për mjekët. Ai njoftoi gjithashtu edhe njohjen e viteve të punës për punonjësit e shërbimit shëndetësor përsa i përket pagave dhe shpërblimeve.

“Kemi hedhur një hap domethënës në funksion të rritjes të kapacitetit të trajtimit të pacientëve me sëmundje tumorale. Kemi vendosur një fond të posaçëm prej 15 milionë eurosh si fillim dhe kemi filluar punën për 2 gjëra, krijimin e institutit kombëtar të tumoreve dhe rrjetëzimin e sistemit të kimioterapisë në një sërë spitalesh të tjera për të ulur fluksin që ka spitali në Tiranë dhe për të rritur ndjeshëm kapacitetin e shërbimit. Ka vazhduar rritja e pagave të punonjësve të shëndetësisë dhe është marrë një vendim i ri për të filluar dhe njohjen e vjetërsisë në punë të mjekëve dhe infermierëve duke rritur dhe shpërblimet në bazë të viteve. Në tërësi parashikohet që pagat për mjekët të rritet më 135 euro të tjera në muaj”, u shpreh Rama.

Sipas kreut të qeverisë nga shtatori i ardhshëm në QSUT do të ketë një godinë të posaçme për parkimin e automjeteve.

“Janë hapur dhe janë në proces godina multifunksionale e parkimit në QSUT që do të mbyllet në shtatorin e ardhshëm dhe do të transformojë tërësish QSUT duke hequr të gjitha makinat nga territori i spitalit që do të behet një park i madh dhe i bukur që do të jetë një rritje e cilësisë së shërbimit për pacientët”, tha Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos