Në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri foli për draftin e PS-së për faljen e gjobave për ndërtimet apo ato të marra gjatë periudhës së Covid-19.
Ai tha se është pro faljes së gjobave, ndërsa theksoi se qeveria mund të reflektojë dhe të lehtësojë procedurat për marrjen e lejes së ndërtimit në fshat.
“Unë jam pro faljes së gjobave dhe ne kemi kohë që e kërkojmë këtë. Ndonjëherë këtu disa gjëra ngatërrohen edhe për shkak të procedurave të komplikuara administrative për marrjen e lejeve të ndërtimit në fshat. Në këtë drejtim, edhe qeveria mund të reflektojë. Ka bërë ndryshime në ligj së fundmi dhe duhet të reflektojë më shumë për t’ia bërë më të lehtë, për të lehtësuar procedurat për qytetarët që të marrin leje ndërtimi. Falja e gjobës është një lloj ndjese dhe një lloj lehtësimi për qytetarët”
Gazetari Andrea Danglli i tërheq vëmendjen duke thënë se kjo është duke u bërë para zgjedhjeve, ndërsa Gjiknuri përgjigjet: “Qeverinë ne e shikojmë të shkëputur nga partia që qeveris. Partia që qeveris ka disa objektiva, si elektoral dhe të pushtetit. Brenda këtyre politikave ajo mund të bëje edhe vendimmarrje për të bërë favore elektorale. Ligji thotë se 4 muaj para zgjedhjeve ti nuk mund të ndërmarrësh asnjë masë favorizuese, para kësaj je legjitim.
Për shtëpitë në fshat procedurat duhet të jenë shumë më të thjeshta dhe gabime janë bërë dhe falja është një reflektim që këto gabime që janë bërë të fshihen njëherë e mirë”, tha Gjiknuri. (A2 Televizion)