Rama: Deri në 2030 nisin të gjitha linjat hekurudhore, ja kur do të përfundojnë

Nga A2 CNN
16 Prill 2025, 10:45 | Politikë

Rama: Deri në 2030 nisin të gjitha linjat hekurudhore, ja kur do

Në rubrikën “Sy m’sy” në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama i është përgjigjur komentuesve në profilet e tij.

Rama i ka dhënë përgjigje ndjekësve të tij për rrjetin e ri hekurudhor në vend. Ai u shpreh se deri në vitin 2030 do të ketë nisur puna për të gjitha hekurudhat, ndërsa në fillim të dekadës së ardhshme ato do të jenë gati.

“Ky projekt nuk ka lidhje me zgjedhjet, por kur konsulentët austriakë kanë përcaktuar si opsionin më të mirë kalimin nga Shkodra në Gjakovë. Sa do të kushtojë, këtë do ta nxjerrë projekti i detajuar, i cili do të bëhet nga një ekspertizë ndërkombëtare dhe do të aprovohet nga Fondi Europian i Investimeve të Ballkanit Perëndimor, por e sigurt është që pa lekë nuk bëhet dot gjë. A do të mbarojë apo jo, këtë nuk e kanë në dorë ata që shajnë nga kafet e Prishtinës, por ata që punojnë në llogoren e të ardhmes.

Erzen, Rudinë, programi i hekurudhave është një pako e re dhe tërësore, të cilës i ka ardhur koha tashmë dhe është hapur me Tiranë-Rinas-Durrës, e cila është drejt përfundimit.

Vonesat e fillimit të punimeve në atë hekurudhë kanë qenë të lidhur me pozicionin e dobët të Shqipërisë kur as BE dhe bankat e saj nuk na merrnin seriozisht. Sot është një histori tjetër dhe jemi në projekte të avancuara. Të gjitha këto hekurudha do të nisin me radhë dhe jo më vonë se deri në vitin 2030 dhe në fillim të dekadës së ardhshme do të jenë të tëra në punë dhe ju do të keni mundësi të shfrytëzoni edhe trenin”, tha Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos