“U mor një masë e padrejtë ndaj meje”, Berisha në A2 CNN: Ja pse u ngritën demokratët pas shpalljes “non grata”

Nga A2 CNN
15 Prill 2025, 23:35 | Politikë

“U mor një masë e padrejtë ndaj meje”, Berisha

Sali Berisha, kreu i Partisë Demokratike, i ftuar në studion e “Ditarit” me Loneta Prognin, në A2 CNN, tregoi arsyen që e bëri të kthehej dhe një herë në krye të PD-së dhe njerëzit që ia mundësuan diçka të tillë.

“U mor një masë e padrejtë ndaj meje, por këtë masë e mori vendi më i fuqishëm i botës, që njerëzit nuk mund ta imagjinonin se ky vend mund të gabonte. Ambasadorja amerikane thërriste në zyrën e saj deputetë demokratë dhe i kërcënonte. Ishte terror, por njerëzit pranë meje nuk pyetën për këtë dhe u ngritën. U ngritën sepse më besuan që unë kisha të drejtë. Nëse ata nuk do të vinin pas meje, kjo histori nuk do të kishte ecur as 6 javë”, tha Berisha.

“Unë vijova betejën time pas “non gratës”. E hodha në gjyq Sekretarin e Shtetit dhe punova me mediat amerikane. Por, pasi e hodha në gjyq, Blinken kaloi në luftë absurde kundër meje. Ai mendoi se unë nuk do të futesha në Parlament, por Parlamenti është i sovranit dhe jo i ministrave të jashtëm të vendeve të tjera. Kur e pashë që ai mendonte se mund t’i caktonte shqiptarëve se kush mund të jetë në Parlament, mora rrugën e kthimit. Beteja ime ishte publike dhe demokratike. Demokratët u ngritën që Shqipëria të kishte opozitë të vërtetë, jo të kontrolluar nga qeveria apo nga dikush tjetër. Kundërshtarët e mi politikë kanë marrë përgjigjen më të rëndë kur dolën që janë përzierë në një puç me Anthony Blinken, që është sot “non grata” në SHBA”, shtoi kreu demokrat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos