Rama dhe Veliaj inspektojnë punimet për konviktet e reja në Qytetin Studenti

Nga A2 CNN
3 Shkurt 2025, 12:56 | Politikë

Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, inspektuan punimet për konviktet e rindërtuara të Qytetit Studenti.

“Ky qytet gjer më dje i rrënuar, po rilind me ambicie e punë të madhe, duke shtuar rrjetin e godinave të cilësisë më të lartë, që nga dhomat e fjetjes të pajisura me dushe e tualete më vete, sallat e leximit, hapësirat e gatimit e ngrënies në çdo kat, internet falas, sistem sigurie, lavanderi, si edhe duke u përgatitur për zbatimin e projekteve të një sërë godinash të reja administrative, social-kulturore e sportive”, shkroi Rama në Facebook lidhur me projektin.

“Kjo është një mbështetje e madhe për studentët”, tha ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, gjithashtu e pranishme në aktivitet. “Mbështetja do të vijojë dhe ambicia e radhës është Kampusi i Universitetit të Tiranës, një zotim që do të bëhet realitet duke filluar nga vitit tjetër”. 

Sipas Manastirliut, në total janë 4000 shtretër në dispozicion të studentëve.

“Ky është një qytet që në bazën e vet është një trashëgimi e të shkuarës, por i përket të ardhmes dhe duhet të ofrojë për studentët kushtet më të mira që studentët kanë në vendet e Bashkimit Europian”, tha kryeministri Edi Rama. “Ky konvikt do të qëndronte me dinjitet në kategorinë A në çdo vend të Bashkimit Europian”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos