Amendamentet në Kodin Zgjedhor, mungesa e konsensusit, a rrezikohet votimi i emigrantëve?

Nga Ervin Koçi
3 Shkurt 2025, 12:21 | Politikë

Qëndrimi i demokratëve sa i përket ndryshimeve të kërkuara edhe nga KQZ në Kodin Zgjedhor ka ngritur shumë pikëpyetje për votimin e shqiptarëve nga jashtë vendit.

Amendamentet që i jepnin më shumë kohë KQZ për të dërguar fletën e votimit, shoqëruar edhe me mbulimin e plotë të shpenzimeve postare nga shteti, tashmë nuk janë diçka e sigurt, pasi demokratët kanë vendosur kushtin që për votën pro, duhet të pranohet edhe kërkesa e tyre që të votojnë edhe ata shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, por që nuk kanë asnjë lloj dokumenti identifikimi shqiptare.

“Kërkesa jonë është kusht për konsensusin në Kodin Zgjedhor”, tha Sali Berisha.

Përballë kësaj situate, ngrihet pyetja se çfarë do të ndodh? Me apo pa miratimin e amendamenteve, KQZ i ka të parashikuara procedurat për votimin nga jashtë që të gjitha lidhen me afatet dhe të parët janë ata që lidhen me regjistrimin e partive, koalicioneve edhe kandidatëve.

“Çdo parti politike duhet të paraqesë kërkesën për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor në KQZ jo më vonë se 70 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Dy ose më shumë parti politike të regjistruara si subjekte zgjedhore në KQZ, sipas nenit 64 të këtij Kodi, mundtë regjistrohen në KQZ si koalicion zgjedhor në shkallë vendi jo më vonë se 60ditë përpara datës së zgjedhjeve. Partia politike ose koalicioni zgjedhor, që është regjistruar në KQZ depoziton për çdo zonë zgjedhore, jo më vonë se 50ditë para datës së zgjedhjeve, listën shumë-emërore me renditje të fiksuar të kandidatëve”, Kodi Zgjedhor.

Ky hap është i rëndësishëm pasi pa emrat e kandidatëve në garë, KQZ nuk printon dot fletën e votimit dhe koha për të prodhuar fletën shkon deri në 2 javë. Thënë ndryshe, nga momenti i depozitimit, miratimit dhe prodhimit, rreth datës 14 prill KQZ do të ketë në dispozicion stokun e fletëve të votimit për të dërguar jashtë vendit, dhe këtu fillon përllogaritja e afateve postare të cilat vetë institucioni i ka konsultuar me operatorët.

“Informimi i KQZ pas takimit me operatorët postarë: Të gjithë operatorët përfshi edhe atë publik vlerësojnë se është e pamundur dërgimi i fletëve të votimit jashtë dhe kthimi i tyre në Shqipëri në një kohë më të shkurtër se 30 - 45 ditë. Praktikat e vendeve të tjera ku disa prej këtyre operatorëve janë angazhuar në votimin nga jashtë konfirmojnë afatin e dërgimit dhe të kthimit të fletëve të votimit nga jashtë, në një periudhë kohore jo më të pakët se 45 ditë”, Kodi Zgjedhor.

45 ditë për postën normale KQZ nuk i ka, ndaj në lojë pritet të futet posta e shpejtë ekspres si për dërgimin edhe përkthimin e fletës së votimit në Shqipëri. Por kjo zgjidhje ka kosto financiare dhe pa ndryshimet në Kod, gjysmën e vlerës do të duhet ta paguaj shqiptari që jeton jashtë vendit.

“Fletët e votimit të plotësuara dhe të sekretuara dërgohen në adresën zyrtare të KQZ-së nëpërmjet shërbimit postar me shpenzimet e zgjedhësit. KQZ-ja fillimisht bën përpjekje të përzgjedhë ofrues ndërkombëtarë të shërbimit postar me jashtë vendit, që kanë eksperiencë dhe reputacion të mirë në shërbimin e postës së shpejtë dhe zgjedhja e tij realizohet nëpërmjet procedurave më afatshkurtra që mundëson legjislacioni për prokurimin publik”, Kodi Zgjedhor.

Por nga kjo proces mund të humbasin edhe partitë politike, pasi dëshira e tyre për të administruar vetë votën e emigrantëve gjatë procesit të numërimit, bëhet e parealizueshme pasi parashikimet aktuale këtë kompetencë i kanë lënë KQZ-së.

“Procesi i numërimit të tyre fillon në të njëjtin moment që fillon numërimi i kutisë së parë me fletëvotimi të zonës zgjedhore përkatëse, si dhe vlerësimi i tyre kryhet nga administrata e KQZ-së dhe tabelohen në tabelën e rezultateve të zonës zgjedhore përkatëse”, Kodi Zgjedhor.

Kalendari i punimeve të Kuvendit ka parashikuar 13 shkurtin si datën kur do të shqyrtohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe koha për të gjetur konsensusin, jo domosdoshmërish me PD-në, duket e mjaftueshme për të bërë numrin 84. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos