“Rama e ka të humbur betejën me gjyqësorin”, Malaj: Ja pse nuk kapet drejtësia e re nuk kapet

Nga A2 CNN
2 Dhjetor 2025, 21:15 | Politikë

Në studion e emisionit Off the Record me Andrea Dangllin, ish-ministri i Financave Arben Malaj bëri një analizë për përplasjen e fundit mes qeverisë dhe drejtësisë, duke deklaruar se “Edi Rama e ka të humbur betejën me gjyqësorin”, sepse sistemi i ri është ngritur me standarde të qarta dhe me mbështetjen e partnerëve strategjikë.

Malaj, i cili aktualisht po shkruan një libër mbi integritetin e politikanëve të rinj, theksoi se prova më e mirë e integritetit vjen në momente të vështira. Sipas tij, kryeministri është i detyruar të ndërmarrë hapa të dukshëm, ndoshta edhe shkarkime, pasi rasti i një ministreje nën akuzë nuk mund të krahasohet me standardet e vendosura më parë, përfshirë largimin e një zv.ministri vetëm pse konsumonte duhan në ambient publik.

Ai paralajmëroi se “dorëheqjet automatike” sapo hapet një hetim për korrupsion mund të shndërrohen në instrument manipulimi, por nënvizoi se standarde duhet të ketë dhe se qeveria nuk mund të sillet njësoj si në fillim të mandatit të saj të katërt, kur deklaronte tolerancë zero.

Sipas Malajt, kriza e tanishme tregon se ekzekutivi po e trajton drejtësinë si presion, ndërsa në realitet SPAK dhe struktura të tjera kanë treguar pavarësi dhe rezultate. “Ky institucion është ngritur me partnerët tanë strategjikë dhe nuk kapet”, u shpreh ai, duke shtuar se sulmet publike ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve vetëm e dëmtojnë qeverinë, shkruan A2 CNN.

Ish-ministri kritikoi edhe mungesën e transparencës. Rama, sipas tij, duhej të kishte publikuar menjëherë kërkesën për në Gjykatën Kushtetuese, në vend që të komentojë çdo ditë mbi balancën e pushteteve. Reagimi i ulët i qytetarëve dhe apatia e shoqërisë civile, sipas Malajt, e kanë forcuar bindjen e kryeministrit se mund të kontrollojë opinionin publik përmes komunikimit vetjak.

Malaj paralajmëroi se, nëse mandati i katërt i qeverisë përfundon si “fotokopje” e të mëparshmëve, situata në vend do të përkeqësohet. Ai tha se në librin e tij të ri Edi Rama do të zërë një vend të veçantë si “figurë antagoniste”, duke përfshirë përplasjet që prej ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, shkarkimin nga bordi i Bankës së Shqipërisë e deri te konfliktet e brendshme në PS.

“Rama është edhe viktimë e vetvetes”, tha Malaj, duke shtuar se pushteti absolut përfundon gjithmonë duke korruptuar ata që besojnë se kanë gjithmonë të drejtë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos