Rama e pranon: Protesta është politike

Nga A2 CNN
12 Qershor 2026, 19:06 | Politikë

Rama e pranon: Protesta është politike

Kryeministri Edi Rama, në 35-vjetorin e Partisë Socialiste, pranoi se protesta që nisi për investimin në Zvërnec tashmë është kthyer në politike, me protestuesit që prej ditësh kërkojnë dorëheqjen e tij.

Kreu i qeverisë ftoi të rinjtë në shesh që t’i bashkohen PS-së nëse duan të mbrojnë Shqipërinë.

“Nëse doni të mbroni vërtet Shqipërinë, mos ngatërroni drejtimin nga i vjen rreziku mjedisit, natyrës dhe Shqipërisë, por bashkojuni PS-së që ka nevojë për këdo që nuk bie dakord për çfarë nuk shkon, por që është gati t’i luftojë bashkë me ne gjërat për t’i bërë më mirë. Me ide, jo me britma, me propozime dhe me të ndenjurat ulur aty në punë, jo veç me video selfie, me Shqipërinë në zemër dhe mendjen në punë, jo Shqipërinë në gojë e smirë në zemër e hesape në mendje. Jam shumë i qartë që protesta është kthyer me natyrë politike, legjitime për këdo që do të ndryshojë Shqipërinë sipas qasjes së tij”, tha Rama, shkruan A2.

“Megjithëse në Vlorë e duan projektin dhe kanë hall se po u dëmtohet sezoni, forca të ndryshme hedhin në bulevard gurët dhe fshehin dorën. Partitë e reja që u bënë të vjetra kërkojnë një copë aty në prurjen e re. Për të rejat dhe të rinjtë që besojnë vërtet se po bëjnë revolucion, kam simpati dhe jam i hapur të flasim, por mbetem mirëkuptues nëse nuk duan që të flasin. Një gjë të jashtëzakonshme e kanë bërë, kanë pastruar zhulin e shoqatës së molotovarëve”, shtoi kreu i qeverisë.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos