Universiteti Bujqësor i Tiranës nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e BOKU-t të Vjenës, që synon modernizimin e praktikave mësimore. I pranishëm në këtë ceremoni, që sigloi përmbylljen e një pune 3-vjeçare, ishte Kryeministri Edi Rama i cili që në nisje të fjalës së tij përshëndetëse, u kujdes ta cilësonte si zhvillim tepër të rëndësishëm për fushën e shkencës në Shqipëri, shoqëruar me batutat për rektorin e UBT-së.
“Ky nuk është një program i qeverisë për të mbajtur me hatër një rektor demokrat, se s’ka si të jetë. Ky është një program strategjik i qeverisë për ta transformuar këtë universitet në një qendër ekselence me një rrezatim shumë të fortë në ekonomi, në bujqësi, në zhvillimin rural të vendit dhe me një influencë rajonale”, tha Rama.
Rektori Fatbardh Plaku, që dikur ka qenë pjesë e koordinatorëve të PD-së, duket se i ka hyrë në zemër Edi Ramës. Përveçse nuk ia mohoi meritat e arritjes së marrëveshjes së bashkëpunimit, negociatat 3-vjecare me Vienën duket se e kanë bindur për t’i dhënë mbështetjen si të ishte kandidat i Rilindjes.
“Qeveria do të jetë në mbështetje të vazhdueshme, ne - Janë bërë zgjedhjet këtu? Ne mbështesim hapur Bardhin. Ne nuk ndërhyjmë në proceset akademike, por mesazhi që do të përzgjedhim për pedagoges është mos ta prekin bardhin se është një hudhër pa të cilën gjërat do të shkojnë ters. Nuk e di kush e konkurron Bardhin, nuk e njoh, t’më fali, nuk kam asgjë, por normalisht tani Bardhi duke ndejë me mua besoj ka marrë huqet e mia dhe është kandidat i vetëm”, shtoi Rama.
Për të nënshkruar një marrëveshje duhen dy firma, dhe ajo e rektorit austriak, për Edi Ramën është bekim i dyfishtë.
“Tani Hubert, nuk kam dyshim që je një njeri shumë i mirë, por kur tës hkosh te Shën Pjetrin dhe t’i thuash që kam ndihmuar universitetin bujqësor të Tiranës, do të të thotë tani bir i im ti meriton të shkosh në parajsë”, theksoi Rama.
BOKU është një nga universitetet lider në Europë në fushën e burimeve natyrore dhe shkencave të jetës ku arritja e kësaj marrëveshjeje u parapri nga nënshkrimi i memorandumit të bashkëpunimit mes Ministrisë së Arsimit shqiptare dhe Universitet Bujqësor të Tiranës me qeverinë austriake me qëllim transformimin dhe modernizimin e UBT-së. (A2 Televizion)