Ministria e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali mbrojti në “Debati” i A2CNN 76 votat e majta, me të cilat kaloi sot në Kuvend rezoluta antikorrupsion, e propozuar po nga socialistët, e që u abstenua nga PD e Rithemelimit.
Lidhur me qëndrimin e opozitës, Spiropali tha se PS kurrë nuk iu është lutur atyre përkundrazi u ka shtrirë dorën për bashkëpunim për të luajtur rolin e saj në pushtetin legjislativ.
“Nuk kishte ishte lutje, ishte një shtrirje dore krejt normale, në një Parlament normal, ku përveç debateve të ditës dhe retorikës së ashpër, duhet të ketë edhe diskutime afatgjata që prodhojnë zgjidhje me bashkëgjithësi. Këtë besojmë dhe këtë u munduam ti shprehim opozitës pavarësisht abstenimit të tyre. Opozitës i takon të jetë aty dhe të luajë rolin e saj. Zgjedhja e tyre nëse nuk duan të marrin pjesë”, tha Spiropali.
E pyetur nëse ka një pakt me Rithemelimin për bazë të gjerë kompromisesh ku hyn dhe ky komision i posaçëm, siç edhe akuzohen të dyja palët PD zyrtare, ajo tha se vetëm Lulzim Basha mund të shpikë palë të tilla.
“Vetëm Lulzim Basha dhe të tijtë mund të shoh palë aty ku ka vetëm grupe parlamentare, deputetë dhe çështje. Çështje që janë të shprehura jo vetëm në formën e tekstit por edhe të vullnetit politik, në këtë rast për të ngritur një komision ad-hoc parlamentar, me këto tre çështje ku duhet të ketë përfaqësim të gjerë, jo vetëm deputetë, por ekspertë vendas dhe të huaj, të medias dhe shoqërisë civile, duhet të jenë pjesë e debatit. Kjo pasi çështja e integrimit evropian të Shqipërisë brenda 2030 është një çështje e të gjithëve. Integrohet Shqipëria jo qeveria. Ne e shtrimë sot në Kuvend dorën e bashkëpunimit, pavarësisht pamundësisë së opozitës për ta kapur këtë dorë”, u shpreh ajo. (A2 Televizion)