Rama me gazetarët e huaj: Kam njohur shijen e gjakut në protesta. Në bulevard u vranë 4 vetë

Nga A2 CNN
9 Qershor 2026, 15:06 | Politikë

Rama me gazetarët e huaj: Kam njohur shijen e gjakut në protesta.

Kryeministri Edi Rama tha se nuk e shqetësojnë protestat kundër tij që po zhvillohen prej më shumë se një jave para Kryeministrisë dhe në qytete të tjera të vendit.

“Kam njohur kohën kur ishte e vështirë të protestojë, kam njohur edhe shijen e gjakut. Në këtë bulevard, jo një shekull më parë, por më pak se 10 vite më parë, ose më saktë në 2011, katër protestues u vranë me armë sulmuese që iu drejtuan atyre pikërisht nga kjo ndërtesë”, tha Rama në një konferencë për gazetarët e vendeve të Bashkimit Europian.

“Kështu që për mua është një epokë ndryshe, është një moment ndryshe në histori, vërtet diçka shumë e mirë që njerëzit mund të protestojnë pa asnjë problem. Edhe pse mund të duket gjëja më e vogël, por nuk është kështu, është një tjetër arritje e kësaj dekade, një arritje për të cilën shqiptarët kanë luftuar për një kohë të gjatë”, shtoi ai.

Sipas Ramës, protesta është provokuar nga një akt i shëmtuar dhune nga një roje sigurie kundër një protestuesi. “Për këtë episod morëm masat më të ashpra dhe më të shpejta. Roja është arrestuar, drejtori i Policisë së Vlorës u shkarkua dhe njësia e policisë që ishte aty në terren dhe ndërhyri për të mos e ndalur rojën është vënë në hetim. Kompanisë së sigurisë i është hequr licenca. Befas çështja u bë më e gjerë dhe tani prek gjithçka. Nuk jemi më në dinamikën e protestës së disa njerëzve ose shumë njerëzve. Kam parë raportime për qindra mijëra vetë, çka është qesharake”, shtoi Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos