Një sektor me potenciale të mëdha ekonomike e konsideron Sali Berisha turizmin, duke premtuar mbështetje për këtë sektor. Në një tryezë me shoqatat e turizmit në vend, kandidati për kryeministër pohoi se së pari sektori do të formalizohet.
“Turizmi ka një problem shumë madhor. Problemi madhor është informaliteti në të cilin noton ky sektor”.
Kërkoi që të gjithë të jenë të përgjegjshëm në trajtimin e vizitorëve dhe tregoi se si do veprojë me strukturat e vogla akomoduese.
“Nuk kemi ndërmend të ndalojmë AirBnB, por formalizimi është një kusht i domosdoshëm”.
Premtoi mbështetje për bizneset në këtë sektor, ku premtoi se shteti do të paguajë punonjësit me pagë minimale jashtë sezonit.
“Ne së bashku me këto shoqata, do arrijmë një marrëveshje ku shteti do marrë përsipër një pjesë të pagave të punonjësve të industrisë turistike jashtë sezoneve”.
Që ky sektor të shoh rritje vit pas viti, lideri opozitar premtoi se nëse në 11 maj merr besimin e shqiptarëve do të investojë në infrastrukturë për të afruar më shumë vizitorët me vendet turistike. (A2 Televizion)