Shpërndarja e certifikatave të pronësisë është një nga simbolet e fushatave të shkuara zgjedhore, por duket se kalkulimet elektorale vijojnë ta mbajnë në modë. Një fushatë e re, që do të shkojë nga veriu në jug, të cilën Kryeministri Rama zgjodhi ta niste nga Himara, një prej bashkive që e humbi në lokalet e një viti më parë.
Vetëm në qarkun e Vlorës parashikohet që të ndahen rreth 4 mijë tapi të reja. “Dhe këto 437 dokumente, certifikata që kemi këtu sot, plus dhe disa të tjera që janë gati, por nuk janë këtu, dhe janë dhe 4000 për t’u bërë. 4000 certifikatat e shtëpive të trashëguara do të jepen brenda këtij viti”, u tha Rama banorëve.
Edhe pas 11 viteve në pushtet, problemet me regjistrimin e pronave të trashëguara në Himarë, Edi Rama ia faturon qeverisë Berisha dhe flet për shfrytëzim të himarjotëve për interesa politike. “Ka patjetër situata të rënda që janë zhvilluar në vitet përpara se ne të vinim në qeveri, ku me AMTP-të është bërë një lojë shumë e ndyrë, kriminale. Madje ky abuzim është shfrytëzuar në mënyrë shumë djallëzore, interesa të ngushta politike që nuk kanë asnjë lidhje, as me përmbajtjen e marrëdhënieve tona me fqinjët”, tha Rama.
Problemet me pronat në jug të vendit kanë krijuar jo pak shqetësim edhe brenda mazhorancës. Socialisti Jorgo Goro, ish-kryebashkiaku i Himarës ndodhet prapa hekura pasi akuzohet për “shpërdorim detyre” në lidhje me pronën ku Artan Gaçi, ish-deputeti socialist dhe bashkëshorti i ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, po ndërton një investim strategjik në miliona euro.
Duke marrë shkas nga këto zhvillime Rama u tha himarjotëve se nuk ka asnjë skenar në Tiranë për të zhveshur vendasit nga pronat me qëllim kalimin tek oligarkët. “Prej vitesh tanimë, këtu, pronat shiten nga banorët, nga trashëgimtarët që mund të jenë këtu, mund të jenë jashtë, për zhvillim, dhe shiten me çmime që nganjëherë janë dyfishi apo trefishi i çmimeve në Korfuz, por shiten dhe nga dy herë, shiten dhe nga tri herë. Pra, ideja që nga Tirana ka një plan për të zhveshur himarjotët nga pronat dhe për t’i vënë ato prona në dispozicion të oligarkëve, është një poshtërsi propagandistike që nuk bazohet në asnjë fakt real. Le të dalë njëri dhe të thotë: ‘’mua ma morën dhe unë s’dija gjë fare”. Nuk ekziston”.
Duke ngulur këmbë se ai si Kryeministër nuk ka gisht në çështje të tilla, Rama tregoi që ka hequr dorë nga pronat e veta në atë zonë edhe pse e diku i ka. “Njoh mirë dhe e di mirë se çfarë janë këtu edhe konfliktet e pronës brenda përbrenda familjeve. Fatmirësisht, unë vetë dhe e ndjera ime më nuk kemi kërkuar kurrë asgjë. Ju e dini shumë mirë se ku e kemi rrënjën këtu, asgjë! Kurrë! Asnjë metër katror”.
Rama ua bëri të qartë të gjithë pushtetarëve në qarkun e Vlorës, që përgjegjës për regjistrimin e pronave të trashëguara do të jetë Prefekti Vangjel Tavo, një nga politikanët potencial për të drejtuar bashkinë e Himarës në rast të përsëritjes së zgjedhjeve lokale, teksa aktualisht të burgosur janë si kryetari i zgjedhur Beleri, ashtu edhe ish-kryetari Goro. “I kam thënë: Do jesh prefekti i Vlorës dhe ke prioritetin numër një, dhënien e certifikatave të shtëpive të trashëguara të të gjithë himarjotëve. Nëse doni shtëpi te Vangjush Tavo, nëse doni sherr Vangjush Dules.
33 vite pas vdekjes, qeveria shqiptare arriti t’i legalizonte shtëpinë shkrimtarit Petro Marko, dokument qe Kryeministri Rama ia dorëzoi vajzës së tij, e cila tha se do ta kthejë në muze. (A2 Televizion)