
Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama, përveç kritikave ndaj protestave të qytetarëve për pakënaqësitë ndaj klasës politike dhe projektit në Zvërnec, dha edhe një paralajmërim për deputetët socialistë.
Ai u tha atyre të mos çuditen nëse gjatë rrugës do të ketë të tjerë që do të dalin, sipas tij, “anash, mbrapa apo përballë”.
Ndërkohë, kujtojmë se deputetja Marjana Koçeku, është larguar nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste dhe tashmë është deputete e pavarur.
“Se është edhe një thirrje “Për një marrëveshje të re për “Një Shqipëri të re” dhe kam parë që ka edhe shpirtra të humbur këtu në familjen tonë politike që duan një Shqipëri të re, mezi pres të na e sjellin draftin të shkruar.
Do të kritikohemi, do të sulmohemi, por kemi detyrimin të mos zgjedhim rrugën më të lehtë, të mos zgjedhim të jemi popullorë kur duhet të jemi të përgjegjshëm. Ka kohë që nuk ndihem i zgjedhur për të qenë i pëlqyer. Më ka ikur ajo dëshirë.
Nuk jemi këtu për të qenë të pëlqyer, por për të qenë të dobishëm. Shqipëria sot është në duart tona, nuk është një hashtag, nuk është një flamingo që merret zvarrë për t’u dukur bukur. Ajo është në një luftë me vetveten dhe BE-ja është Itaka jonë. Le të këndojnë sirenat, atë punë kanë. Ne kemi detyrë ta çojmë Shqipërinë në atë breg me çdo kusht.
Mos u çudisni që në këtë rrugë do të na dalin shumë të tjerë anash, mbrapa apo përballë. Nuk është punë agjenturash. Ne kemi fakte sa të duash. Falë algoritmeve vijnë mercenarë digjitalë edhe nga vende që nuk do ta mendonit se ishit shënjestër e tyre.
Ne nuk kemi punë me asnjërin prej tyre, në kuptimin që të intimidohemi apo të komprometohemi. Kjo është rruga më e vështirë. Është rruga ime, është rruga jonë, e Partisë Socialiste”, tha Rama. (A2 Televizion)