Gazetari Poli Hoxha ka treguar në emisionin ‘Off the Record’ me gazetarin Andrea Danglli në A2 CNN se emri i Ergys Agasit doli për herë të parë në SPAK në vitin 2019, në një dosje anti-drogë në Itali.
Hoxha tha se Agasi dhe veprimtaria e tij është mbajtur nën vëzhgim për një kohë të gjatë, pas lëvizjeve të dyshimta të tij.
Ai tha gjithashtu se emri i Agasit doli edhe në dosjen e kontrabandës së cigareve për një blerje fiktive, e cila sipas Hoxhës ishte një hetim britanik.
Hoxha u kthye më herët në kohë, kur tha se Agasi nisi të krijonte lidhjet e tij politike kur punonte me Lefter Kokën te Ministria e Mjedisit në kohën e LSI dhe me Panaritin si specialist.
Gazetari shtoi se lidhjet e Agasit me Ramën ishin tepër të forta, prandaj sipas tij, të gjithë ata që e dinin fuqinë e tij te kryeministri, shkonin në zyrën e tij.
Kujtojmë se sëfundmi emri i Agasit rezultoi të ishte pjesë e një grupi kriminal në institucionin e AKSHI-t, të akuzuar nga SPAK për trafik informacioni dhe pengmarrje.
“Të gjithë njerëzit pyesin ‘ore nga i buron fuqia?’. Djali i një ish-deputeti të nderuar socialist, familje e mirë, për zotin Agasi po flasim, sepse ai është strumbullari aty. E vetmja gjë që dihet për të është se është futur pak në politikë me Lefter Kokën me LSI, ka qenë te Ministria e Mjedisit.
Ka punuar deri vonë deri në 2017 me Panaritin si specialist dhe që atherë është larguar nga politika dhe ka hapur përnjëherësh disa biznese që brenda një kohe shumë të shkurtër gjeneronin shumë para. Pata e artë ka qenë AKSHI e terr, të bësh biznes me terrin.
Dihet edhe vetë Rama ka fotografi dhe sa herë shkonte në Durrës… Dihet lidhja specifike e Ramës me këtë personazh dhe prandaj detyroheshin njerëzit të shkonin te zyra e tij, sepse ata që duhet ta dinin e kanë ditur fuqinë e tij te kryeministri.
Nga ana tjetër, emri i tij ka dalë për herë të parë te SPAK në 2019 në një dosje anti-drogë në Itali. Është më herët se operacioni i kontrabandës së cigareve, ku ky u fut në mes dhe bëri një blerje fiktive. Ai është në fakt hetim britanik. Ka patur edhe një presion ndërkombëtar për këtë dosje”, tha mes të tjerash Hoxha. (A2 Televizion)