Rama sulmon Berishën me “bufin e kënetës”, Veliaj: Gjyqtari njësh me prokurorin, njoftoi Berishën për pengmarrjen time

Nga A2 CNN
14 Shkurt 2025, 18:18 | Politikë

I mbyllur në qelinë e paraburgimit në Durrës, kryebashkiaku Erion Veliaj ka shkruar letrën e radhës duke shpërthyer në akuza dhe fyerje ndaj prokurorit dhe gjyqtarit të dosjes së tij. Edhe Veliaj, ashtu si Ilir Meta, mendon që drejtësia e ka marrë peng, pa patur prova për ta prangosur.

“U pa puna, ata me letra anonime dhe metoda sigurimsi, unë me letra nga burgu, ku më morën peng pa gjyq. Unë jam akoma person i dyshuar, se s’më kanë marrë dot të pandehur, ngaqë nuk kanë një fakt të vetëm, as në dosjen prej sigurimsi të Ols Dados. Aty nuk gjendet dot një rresht ku të thuhet se i kam kërkuar apo marrë ryshfet dikujt ose se është gjetur ndonjë lek i pajustifikuar. Por, ndërkohë unë akuzohem për korrupsion”, shkruan Veliaj.

Kreu i Bashkisë së Tiranës risjell pretendimin e socialistëve që Prokurori dhe Gjyqtari i çështjes, janë në shërbim të Sali Berishës.

“Në thertoren e Erjon Banit, se vetëm sallë gjyqi nuk që, kërkova që Ols Dado të largohet nga çështja dhe të futet në dosje si një prokuror që ka përdorur telefonin e paguar nga taksat për të kërkuar leje ndërtimi për veten e tij. Ndërsa, për adashin tim gjykatës s’kam çfarë them fare. I bërë njësh me prokurorin dhe i paduruar që t’i jepte Sali fundërrinës lajmin e mirë të pengmarrjes time pa gjyq”, shtoi ai.

Vetëm pak minuta nga reagimi i Veliajt, edhe kryeministri Rama u aktivizua në Facebook. I apasionuar së fundmi pas botës së egër të faunës, ofroi një përshkrim të bufit të kënetës, emërtesë të cilën e përdor edhe për rivalin politik, në krye të opozitës.

“Bufi i kënetës është një plaçkitës folesh, i cili konsiderohet një rrezik edhe për shpendët shtëpiakë. Ai jeton mes zvarranikëve dhe amfibëve, me të cilët shuan edhe urinë. Trupi i tij grumbullon pesticidet dhe helmet kundër brejtësve, çka e bën helmues atë vetë. Konsiderohet edhe një specie shumë armiqësore ndaj diversitetit“, tha Rama.

Pas 4 ditësh intensive, nga vizitat në bashki, në mbrojtjen politike për Veliajn apo deri tek sulmet ndaj SPAK, këtë të premte Edi Rama do të veshë kostumin e Kryeministrit për të udhëtuar drejt Gjermanisë ku do të përfaqësojë Shqipërinë në konferencën e sigurisë në Mynih.

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos