Aktivisti Marlind Laçi deklaroi se kryeministri Edi Rama “po hedh tezën e shitjes së tokës shqiptare” dhe shtoi se “këtij kryeministri i duhet thënë se për tokë shqiptare nuk ka negociata”.
“Duke qenë se nuk jam i atashuar në asnjë forcë politike, sigurisht që kjo më ka bërë që mos të jem në protestat e mëparshme, por i jam atashuar kësaj proteste për arsye sepse kjo është një protestë popullore, e cila pikënisjen e kishte nga ngjarjet kriminale në Zvërnec. Mos harrojmë, u mor një qytetar zvarrë dhe Policia e Shtetit bënte sehir duke parë bandat e “security”, që në gjykimin tim më tepër janë krijuar si milici private të cilat sfidojnë edhe shtetin. Nga ana tjetër, në protestat në vijim kemi parë një energji të jashtëzakonshme, pjesëmarrje popullore, qytetarë të cilët janë në shesh pasi kanë kuptuar se Zvërneci ishte pika që mbushi gotën e patronazhimit, gotën e berishizmit, gotën e politikës së vjetër, gotën e mashtrimit kombëtar, gotën e korrupsionit, gotën e oligarkisë dhe për këtë shkak jam këtu si një qytetar i lire, që i kuptoj vërtetë përgjegjësitë qytetare dhe përgjegjësinë kombëtare. Gjej rastin që të ftoj sa më tepër qytetarë që të bëhen pjesë e kësaj proteste, t'i anashkalojmë të gjithë krahët politikë, bindjet ideologjike dhe të bëhen pjesë e sheshit. Kjo për shkak se varet fati i Shqipërisë. Mos harrojmë, kemi një kryeministër i cili dita-ditës po hedh tezën e kolonializimit të Shqipërisë, po hedh tezën e shitjes së tokës shqiptare dhe këtij kryeministri i duhet thënë se për tokë shqiptare nuk ka negociata”, tha Laçi në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
“Gjithashtu, gjej rastin që forcat e reja politike të cilat pretendojnë pushtetin të mësojnë nga gabimet e politikës së vjetër dhe mos ta konsiderojnë popullin një popull dele, ashtu siç jemi mësuar këto 35 vite nga klani mafioz Rama-Berisha”, shtoi aktivisti Mirlind Laçi. (A2 Televizion)