Rama premton rritje pagash për punonjësit e Bashkive

Nga A2 CNN
9 Mars 2024, 17:10 | Politikë

Kryeministri Edi Rama ka premtuar rritje pagash për punonjësit e bashkive. Në përfundim të mbledhjes me kryebashkiakët, Rama tha se do të bëhet një rivlerësim të pagave.

“Kemi domosdoshmërinë e rivlerësimit të nivelit të pagave të bashkive sepse sot bashkitë e Shqipërisë janë të ndara në 5 nivele duke u bazuar tek numri i banorëve. Do të kalojmë në 2 nivele dhe do bëjmë një rritje të pagave për t’i përafruar mundësitë e shpërblimit të punonjësve në bashkitë e nivelit të dytë me ato të nivelit të parë.

Ndryshimet prekin edhe specialistët.

“Në mënyrë që ajo që sot po e përjetojnë një pjesë e bashkive që nuk arrijnë dot të punësojnë specialistë në fusha të caktuara për shkak të pagës së ulët dhe pozicionit të tyre gjeografik, kjo barrë të lehtësohet në mënyrë të arsyeshme”- tha Rama.

Sipas tij, kjo gjë bëhet për t’u përafruar me BE.

“Kemi pasur diskutime për një sërë temash me rëndësi. Këto tema përbëjnë edhe pikat e referimit për ecurinë e mëtejshme të procesit të anëtarësimit në BE pasi është një proces që siç e kam thënë kërkon angazhimin dhe këmbënguljen e rezultate nga të gjithë dhe jo vetëm nga qeveria. Nuk integrohet qeveria në BE, por Shqipëria. Puna e qeverisë është një pjesë e punës, sic është një pjesë parlamenti, gjyqësori dhe pushteti vendor apo sektori privat, media, etj”, u shpreh kreu i qeverisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos