Rama shkund socialistët: Kush flirton me korrupsionin është tradhtar me kostum, parazit që i pi gjakun PS-së

Nga A2 CNN
7 Maj 2024, 11:05 | Politikë

Rama shkund socialistët: Kush flirton me korrupsionin është

“Çdo anëtar i kësaj familje të madhe politike që bën korrupsion me funksionin publik është një tradhtar i dyfishtë, jo vetëm i popullit shqiptar si hajdut me kostum që merr çfarë nuk është e tija, por edhe i PS-së, si çdo parazit që ushqehet me gjakun e trupit ku rritet.”

Ky ishte mesazhi i prerë që kryeministri Edi Rama pati nga mbledhja e sotme e grupit parlamentar për cilindo anëtar të Partisë Socialiste, nga niveli i ulët drejtues e deri te krerët e bashkive, deputetët dhe ministrat.

Për shefin e qeverisë, armiku kryesor i pushtetit është korrupsioni dhe kushdo që flirton me të nga radhët e socialistëve do të jetë subjekt i drejtësisë dhe duhet të përbuzet prej anëtarëve dhe votuesve të PS.

“Dua të jem shumë i qartë këtu me ju, te kjo NE-ja, Partia Socialiste, nuk ka dot dhe s’ka për të pasur dot të paktën sa të jem unë i besuari juaj në krye të kësaj partie, një NE të njëjtë, si kur bëjmë betejat dhe punët për të cilat na kanë besuar shumica e shqiptarëve, si për këdo mes nesh, sado afër këtu apo sado larg nga këtu që tradhton ata që na kanë besuar, duke flirtuar me armikun numër një të kësaj lufte që është korrupsioni. Kush flirton me atë armik, kush i tradhton besimtarët tanë, anëtarët e thjeshtë të kësaj partie dhe njerëzit e zakonshëm që na kanë dhënë privilegjin të na udhëheqin, afro 800 mijë zgjedhës që secilit e secilës këtu në këtë sallë i kanë bërë nderin e jetës duke i dhënë mandatin e përfaqësuesit të një populli dhe atdheu të tërë, në Parlament apo qeveri, deputet apo ministër nuk është as ne, nuk është as i yni dhe as nuk ka asnjë punë me ne. Ashtu siç çdo i zgjedhur si kryetar bashkie, ose punon si drejtues dhe përgjegjës në administratën shtetërore apo qendrore vendore, nëse fut duart në arkën e këtij shteti dhe xhepat e këtij populli nuk është ne. Nuk ka sesi të jetë dhe as ka sesi të kërkojë gjë tjetër nga ne, përveç përbuzjes. Çdo anëtar i kësaj  familje të madhe politike që bën korrupsion me funksionin publik është një tradhtar i dyfishë, jo vetëm i popullit shqiptar si hajdut me kostum që merr çfarë nuk është e tija, por edhe i PS-së, si çdo parazit që ushqehet me gjakun e trupit ku rritet.”

Për Ramën, zbulimi nga drejtësia i aferave korruptive ku ministra, kryebashkiakë apo edhe drejtorë e nënpunës socialistë janë të përfshirë në abuzime me fondet e buxhetit të shtetit dhe kanë futur duart në xhepat e taksapaguesit shqiptar, është lajm i mirë pasi shënon “një parazit më pak që i pi gjakun PS-së”.

“Kur qëllon që fatkeqësisht një hajdut ose tradhtar i tillë zbulohet nga drejtësia, i hidhur është sa të duash fakti se e kishim mes nesh, por lajmi se kemi një parazit më pak në trupin tonë është vetëm shumë i mirë. Vjen dhe tek unë helmi që hidhet duke përdorur raste të korruptuarish apo dyshuarish për korrupsion siç hidheshin në mesjetë minjtë në ujësjellësit e kështjellave, për të helmuar të gjithë që ndodheshin në kështjellë.”

Një mesazh kryeministri e pati edhe për ata që i kërkojnë llogari për ministra apo kryetarë bashkish të korruptuar, të cilët Rama i cilësoi “minj që helmojnë ujërat”. Sipas tij, këta individë nuk janë assesi të tijët, as të Partisë Socialiste, por thjesht dhe vetëm subjekte, të cilët drejtësia ka përgjegjësi për t’i hetuar dhe dënuar.

“I dëgjoj edhe kur thonë hajde Edi Rama jep ti përgjigje për këtë miun një karrige më poshtë, tri karrige më tutje, apo 100 km më tutje, se edhe ai i yti është. I PS është. Jo, jo s’është as yni, as i imi, por vetëm dhe ekskluzivisht i drejtësisë, cilido që privilegjin për t'i shërbyer këtij vendi, ndaç si ministër, kryetar bashkie dhe drejtor bashkie dhe ndaç përgjegjës drejtorie, e përdor për të vjedhur shtetin dhe futur dorën në xhep këtij populli.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos