Rama shpërthen ndaj LaCivita: E ka thirrur Sali qullsi si të fortin e lagjes! Latifi ka lindur me këmishë, ha paratë e Berishës

Nga A2 CNN
12 Prill 2025, 14:37 | Politikë

Kryeministri Edi Rama ka shpërthyer në akuza ndaj kryedemokratit Sali Berisha dhe strategut amerikan të Partisë Demokratike, Chriss Lacivita, gjatë hapjes së fushatës së PS në Sheshin Skënderbej në Tiranë.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se LaCivita ka lindur me këmishë dhe i ha paratë kryedemokratit Sali Berisha, duke publikuar video me bufa dhe minj.

Ai tha gjithashtu se LaCivita të kujton të fortin e lagjes, kur e thërriste ai qullsi i pallatit dhe i thoshte ‘hajde së po më rrahin’.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Për këtë prioritet Bufi ka sjellë me kushedi se sa para, që kushedi ku i ka gjetur, edhe një Latif nga Amerika, i cili të kujton tamam atë të fortin e lagjes që qullsi poshtë pallatit e thërriste kur i lageshin pantallonat.

Latifi dje kishte publikuar një buf që hante një mi dhe kishte ngritur pyetjen kush është miu?

Atij bravo i qoftë, se të gjesh budallenj të tillë që të paguajnë tërë ato para, për të të duartrokitur edhe kur i’a fut kot në atë farë feje, është vërtetë të kesh lindur me këmishë.

Se që Bufi është Bufi kjo s’ka diskutim, kurse për miun ka shumë kandidatë, që nga Luli i shkretë që harroi që ishte mi e u soll si ari, deri tek ai i shkreti nga Kavaja, fituesi i primareve të Tiranës, që besoi tek Bufi si njeri dhe Bufi e kullufiti si të ishte thjesht një mi.

Unë dua të përshëndes këtu, në mënyrë të veçantë, Zamirën, dekanen e ekonomikut të Vlorës, e cila e kuptoi se nuk kishte ç’kërkonte më në atë kamp, përderisa nuk e bënte dot rolin e miut dhe erdhi e u bashkua me ne, duke përfaqësuar sot Vlorën në skuadrën tonë kombëtare të 11 majit, ashtu siç po afrohen e po na bashkohen edhe të tjera gra e vajza demokrate, të cilat i siguroj se nuk do të bëhen kurrë pishman, ndërkohë që burrat le të marrin kohën e tyre dhe le të reflektojnë kur të përfundojnë si minj në barkun e Bufit. 

Të dashur bashkëqytetarë e bashkëqytetare që na ndiqni sot nga ky shesh i bekuar,

Ju bëj një thirrje shqiptare e qytetare, që të bëhemi bashkë si të pesë gishtat e kësaj dore, për t’i dhënë të nesërmes ngjyrën e fatit europian të Shqipërisë, pikërisht javën e fitores sonë do ta mbyllë, në këtë shesh, vetë Europa mbarë, e cila më 16 maj, e për herë të parë në histori, do ta ngrerë tendën nën hijen e profetit të historisë sonë, ku do të ulen rreth një sofre të madhe të gjithë udhëheqësit e popujve të kontinentin demokratik europian.

Le t’i lemë këtë herë, për herë të tjerë pas kësaj here të paktën, llogoret partiake, le t’i harrojmë këtë herë fanellat e tifozllëkut partiak, le të ngrihemi këtë herë të gjithë së bashku, në lartësinë e takimit me historinë që na ka ardhur në derë dhe le të mos e lejojmë kurrësesi, në asnjë mënyrë, portën e hapur të Shtëpisë së Madhe të Europës së Bashkuar të mbyllet për shkak të shpërqëndrimit tonë nga shënjestra e përcaktuar e fatit të Shqipërisë, qysh kur ai burrë atje lart, mbi kalë, la për brezat profecinë e tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos