Rama: Shqipëria, e 21-ta në botë për zbutjen e ndryshimeve klimatike

Nga A2 CNN
20 Korrik 2026, 13:09 | Politikë

Rama: Shqipëria, e 21-ta në botë për zbutjen e ndryshimeve

Kryeministri Edi Rama tha se, përkundër akuzave që i bëhen qeverisë së tij, statistikat dhe vlerësimet ndërkombëtare tregojnë se Shqipëria ka bërë përparim në çështjet që lidhen me ambientin dhe natyrën.

“Për javë të tjera u krijua përshtypje që Shqipëria ishte kthyer në armike të vetes së vet. U thanë shumë gjëra, u ndanë miliona imazhe, akuza, dhe bindje të cekëta dhe për një çast u duk se zhurma triumfoi mbi realitetin por realiteti flet ndryshe. Environmental Performance Index 2026, indeksi më prestigjioz global për performancën mjedisore sapo e ka renditur Shqipërinë të parën në Ballkanin Perëndimor të 46-tën nga 177 vende të botës me progresin më të madh në rajon gjatë 10 viteve të fundit. Për zbutjen e ndryshimeve klimatike, Shqipëria renditet e 21-ta në botë”, tha Rama, përcjell A2 CNN.

“Këto nuk janë vlerësime që i kemi bërë vetes, por janë përfundime të institucioneve ndërkombëtare që prej një çerek shekulli matin performancën mjedisore të vendeve të botës. Sinqerisht ajo që mua më gëzon më shumë se renditja është se kjo tregon rrugën që kemi bërë. Shqipëria ishte vendi i prerjeve barbare të pyjeve, gjuetisë së egër, i lumenjve të kthyer në vend grumbullime mbetjesh dhe një shteti që nuk kishte as mundësi e instrumente apo kulturën për të mbrojtur natyrën por mbi të gjitha, vëmendje. Sot jemi një vend tjetër. Kemi arritur deri aty që të zhvillojmë protesta të mëdha për mjedisin dhe kjo pavarësisht çdo ekzagjerimi apo instrumentalizimi politik që iu bashkëngjitur protestave, është një arritje e madhe e shoqërisë. Prania e  aq shumë njerëzve që shqetësohen për flamingot, lagunat e pyjet tregojnë që bashkë me Shqipërinë ka ndryshuar dhe shqiptarët. Kjo është fitore e qytetërimit”, shtoi ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos