Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare Ëalk21, edicioni i 25-të i të cilit organizohej në Tiranë, ku merrnin pjesë 54 vende të botës, të cilët po shqyrtojnë mënyrat më të mira për të zhvilluar dhe zbatuar politika që e bëjnë ecjen zgjedhjen e përditshme të jetës urbane.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri kujtoi periudhën e Diktaturës në Shqipëri, si dhe kaosin urban që pasoi me ardhjen e demokracisë.
“Është kënaqësi e vërtetë të numërosh 54 shtete në këtë sallë të vogël dhe t’i uroj mirëseardhjen në këtë qytet që 54 vjet më parë ishte një vend krejt i ndryshëm, ku nuk lejohej asnjë makinë private, ku numri i përgjithshëm i makinave që qarkullonin ishte rreth 5000 në të gjithë vendin. Ku numri i turistëve që vizitonin vendin ishte mesatarisht 2000 në vit. Ndërkohë që këtë vit ne do të shkojmë përtej 12 milionëshit”, tha Rama, përcjell A2 CNN.
“Sot ndërkohë kemi një sfidë të madhe sepse ajo çfarë morëm si rezultat i pak a shumë 50 viteve jetese në atë hapësirë të madhe ku ecja ishte mënyra e parë e më e besueshme për tu lidhur me të tjerët, ku biçikletat ishin mënyra e dytë më e mirë për tu lidhur me të tjerët, ku transporti publik ishte mënyra e tretë dhe e fundit. Pas rënies së atij sistemi, njerëzit e panë hapësirën publike si hapësirë për tu zënë, hapësirë për u privatizuar. Në gjithë atë periudhë dëshirash individuale të shtypura të cilat lulëzuan dhe dolën në sipërfaqe duke zënë të gjitha hapësirat publike, duke ndërtuar në mënyrë të paligjshme kudo ku ishte e mundur dhe duke eliminuar praktikisht çdo hapësirë të gjelbër që shihni sot. Pikërisht kështu, përveç liqenit që ishte, që vazhdonte të ishte dhe përveç shumicës së pemëve që ishin aty, ajo çfarë shohim sot nuk ishte më. Çdo metër katror gjelbërim u mbulua e u varros nën mijëra e mijëra ndërtesa të paligjshme. Lumi që kalon përmes qytetit nuk ishte më i dukshëm sepse të dyja anët e lumit ishin të zëna me vija kaq të gjata ndërtesash dhe 90 % fjalë për fjalë jo metaforikisht, 90% e pemëve që shihni sot në rrugët e qytetit nuk ishin”.
“Kur u bëra kryetar bashkie në vitin 2000 na u desh të merrnim mbrapsht qytetin tonë, duke shembur më shumë se 10 mijë ndërtesa. Vetëm nga lumi hoqëm 132 mijë ton betoni që ishin rrënoja nga shembjet. Gjatë atyre viteve mbollëm 55 mijë pemë, që sot janë të kudogjendura. Megjithatë dhe pse bëmë shumë për t’u ri sjellë njerëzve hapësirë ku ata të shijonin të ecurinë, ecja nëpër qytet u bë gjithmonë e më e vështirë. Mendoj që 5.09 çdo minutë që mund të marrim për të ngadalësuar hapin, në çdo metër që do mund të përfitojmë për këmbësorët është një sukses për tu festuar sepse është një mënyrë për të ndihmuar njerëzit tanë, por për aq kohë sa jemi ende të vetëdijshëm për sfidat e për atë që duhet të bëjmë, atëherë na duhet të luftojmë. Kjo është arsyeja pse kemi çelur së fundmi një kapitull për ta luftuar këtë gjë”.
“Nuk e kemi më problemin e ndërtimeve të paligjshme të cilat lidhen me betonin apo me katet apo hapësirat publike në qytet, por na duhet që të luftojmë ditë për ditë edhe ndërkohë që flasim për të hequr të ashtuquajturat struktura të përkohshme të cilat në fakt kanë zënë trotuaret, hapësirat publike për të vendosur tavolina pafund, karrige, për të ofruar ekspres pas ekspresi. E di që kemi ekspresin më të mirë jashtë Romës, por nuk është një justifikim plotësisht i mirë për të vazhduar dhe për të zënë e pushtuar hapësira publike thjeshtë për të ofruar ekspres. Kështu që çdo ditë po marrim mbrapsht hapësirat dhe duam që të shtojmë edhe më shumë pemë dhe gjelbërim në qytet për të cilat tashmë kemi një rregullore të re që gjithkush që merr një leje ndërtimi duhet të kontribuojë në fondin e gjelbër me një numër të caktuar pemësh përmes një formule e cila e përllogarit në bazë të metrave katrorë që ai ose ajo do të ndërtojë”. (A2 Televizion)