
Këtë mëngjes kryeministri Edi Rama ka vendosur sërish karriget përpara Kryeministrisë. Në një postim video në rrjetet sociale, Rama ka përsëritur ftesën për dialog dhe u ka bërë thirrje për t’u distancuar nga dhuna. Sipas tij çdo dhunues do të marrë përgjigje ligjore dhe financiare.
“Ka 1001 pakënaqësi, halle e probleme, arsye për të protestuar. Por asnjë arsye nuk e justifikon dhunën. Çdo arsye është një argument më shumë për dialogun mes njerëzish që ndajnë të njëjtin atdhe, që duan të njëjtën gjë; si ta bëjmë Shqipërinë më të mirë. E drejta e protestës është e pamohueshme. Dhuna është krim i ndëshkueshëm. Dje, dialogu mori përgjigjen e dhunës. Sot dialogu është këtu përsëri. Dora ime është e shtrirë për të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga unë dhe shumica e terrorizuar nën trysninë e dhunës. Çdo gjë që kërkojnë të bëjmë më mirë më shumë e më shpejt bëhet me punë, me të ardhurat nga puna dhe duke i çuar ato të ardhura aty ku janë problemet që kërkojnë zgjidhje. Distancohuni nga dhuna! Çdo dhunues do të marrë përgjigje. Përgjigja nuk do të vonojë, do të jetë ligjore, do të jetë financiare. Kush dëmton pronën e përbashkët do të paguajë, kush dëmton pasurinë e tjetrit do të paguajë. Shqipëria është e të gjithëve. Liria e askujt nuk mund të shtrihet ku fillon liria e të tjerëve”, tha ai. (A2 Televizion)