Raporti i DASH për Shqipërinë, PD: Shteti i kapur nga Rama, duhen zgjedhje të lira dhe qeveri teknike

Nga A2 CNN
19 Korrik 2024, 15:05 | Politikë

Raporti i DASH për Shqipërinë, PD: Shteti i kapur nga Rama, duhen

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për Partinë Demokratike është skaner i qartë se shteti është i kapur nga Edi Rama, sipas opozitës.

Por ky raport i DASH shërbeu edhe njëherë që Partia Demokratike të përsërisë kërkesën për qeveri teknike. Deputetja Dhurata Çupi në një deklaratë nga selia blu pohoi se shqiptarët meritojnë zgjedhje të lira dhe jo Ramën kryeministër.

"Në skanerin e fundit të Departamentit të Shtetit Amerikan,qeveria e Edi Ramës, rezulton, jo për herë të parë, si ndër më të korruptuarat. Biznesi në Shqipëri, thuhet në raport, operon në një mjedis të rrezikshëm për shkak të korrupsionit. Propaganda e qeverisë nuk e fsheh dot problemin e madhtë mungesës së konkurrencës së ndershme për shkak të tenderave korruptivë të paracaktuar.

Me Edi Ramën kryeministër gjithçka është vendosur në dispozicionin e pushtetit personal, që nga shteti i kapur në çdo hallkë, deri tek krimi i organizuar, që mbetet aleati kryesor i qeverisjes këta 12 vjet. Raporti i Departamentit të Shtetit vë në dukje se faktorët që dëmtojnë më shumë konkurrencën në treg janë trafiku i drogës, kontrabanda, evazioni fiskal dhe korrupsioni. Raporti amerikan nuk lë pa cekur as plagën e shpopullimit. Emigrimi i të rinjve dhe i profesionistëve ka në bazë korrupsionin e qeverisë.  Ka një mënyrë për t’i dhënë fund korrupsionit kapilar, që nis nga maja e qeverisë. Janë zgjedhjet e lira, të pandikuara nga korrupsioni qeveritar dhe partneri i tij kryesor, krimi i organizuar. Një qeveri teknike, që përgatit zgjedhje të lira është interesi më i lartë i shqiptarëve." (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos