Grupi i dialogut për reformat zhvilloi këtë të enjte mbledhjen e radhës për të harmonizuar kërkesat e shumicës dhe pakicës për zgjedhoren.
Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi, deklaroi se opozita ka kërkesa të qarta për produktin final të këtij grupi pune. Si prioritare shihet rikthimi tek marrëveshja e 5 qershorit 2020, që do të mundësonte garimin me formulën e koalicioneve.
“Rikthimi dhe njëherë tek marrëveshja e 5 qershorit, mos-heqja e koalicionit, të japim listën e hapur të partive politike. Zgjedhësi të ketë të drejtën të zgjedhë se cilën parti brenda një koalicioni do të votojë”, tha Bylykbashi.
Kushti i dytë për demokratët është dhe zbatimi i rekomandimeve të OSB-ODIHR, pasi sipas tyre vetëm kështu mund të ketë zgjedhje të lira.
“Sekreti i votës që cenohet, liria e votës që cenohet, barazia e votës që cenohet, goditjen e shitblerjes së votës, të gjitha format e tjera të presionit siç është patronazhimi, apo përdorimi i punimeve shtetëroreve. Të gjitha këto janë pjesë e marrëveshjes së 5 Qershorit dhe rekomandimet e OSBE”, tha deputeti i PD.
Sa i përket depolitizimit të administratës zgjedhore, Bylykbashi u shpreh dakord në parimor shtoi se duhet ndjekur rekomandimi i OSBE që së pari të depolitizohet administrata shtetërore.
“Ekspertët ndërkombëtarë të BE që ndihmuan në përfundimin e marrëveshjes së 5 qershorit e kanë shkruar të zezë mbi të bardhë që Shqipëria nuk është gati për depolitizimin e plotë. Hapat ne mund t’i ndërmarrim në mënyrë të kujdesshme dhe të balancuar”, u shpreh Bylykbashi.
Grupi i punës për reformën zgjedhore pritet që të mblidhet sërish të hënën e javës së ardhshme për të miratuar planin e punës të hartuar nga ekspertët. (A2 Televizion)