Damian Gjiknuri nga foltorja e Kuvendit rinovoi sfidën për opozitën për t’u ulur në negociata për Reformën Zgjedhore. Sipas tij, koha është ngushtuar, ndaj tregoi se brenda Korrikut mazhoranca do tentojë të miratojë ndryshimet për të adresuar votën e emigrantëve dhe përllogaritjen e herësit në ndarjen e mandateve.
“Themeli i asaj që po ndërmarrim, dhe ne duhet të punojmë deri në fund të Korrikut për të gjetur kompromis dhe mos mendoni se ka datë tjetër. Po nuk arritëm të bëjmë ndryshime deri në fund të Korrikut ne do shkojmë me këtë kod, nuk do ketë votë diaspore dhe do ketë një interpretim nga KQZ për herësin ta bëjë zero”, tha Gjiknuri.
Gjuha e përdorur nga Gjiknuri duket qartë se tenton të parkojë përgjegjësinë e një dështimi eventual në derën e opozitës.
Pavarësisht kërcënimeve të mazhorancës, Oerd Bylykbashi, përfaqësuesi i opozitës për zgjedhoren kërkoi edhe njëherë reflektim dhe rikthim tek marrëveshja e 5 qershorit, që sipas tij është baza ku duhet të nisin negociatat. Por Gjiknuri këmbënguli se nuk do ketë negociata për këtë çështje.
“Ne kërkojmë që të ruhet ajo që është rënë dakord në 5 qershor. Zgjedhësit të kenë të kenë të drejtën e listës së hapur të partive. Të zgjedhin partinë që duan. Por Edi Rama ka frikë se është vetëm nëse kjo ndodh, por edhe se kjo sjell rotacionin”, tha Bylykbashi.
“Kush të dojë le të vijë të negociojë deri në ditën e fundit, me qëllim që në seancën e fundit të kemi një votim për të ndryshuar Kodin Zgjedhor, vetëm për këto dy pika, që na detyron kushtetuesja. Çdo retorike tjetër jo s’duan votën e diasporës, jo s’do mazhoranca është e adresuar”, shtoi Gjiknuri.
Nga ana tjetër Bylykbashi theksoi se nuk është opozita bllokuesja e Reformës Zgjedhore.
“Opozita po kërkon rregulla të forta dhe të ndershme, për zgjedhje të ndershme. Duke filluar nga koalicionet, vota e diasporës, formula që përkthen votat në mandate të jetë e drejtë”, shtoi deputeti i PD.
Deputeti demokrat shtoi se Kodi Zgjedhor duhet të reformohet edhe sa i përket depolitizimit të administratës. (A2 Televizion)