Skandali i mjekëve të spitalit Onkologjik është zhvendosur në parlament. Deputetët demokratë të Komisionit të Shëndetësisë thirrën në interpelancë ministren Albana Koçiu për të thënë sqarime për ngjarjen.
Kryetarja e komisionit Zheni Gjergji akuzoi kryeministrin Rama dhe ministren Koçiu si përgjegjësit kryesor të situatës në spitale.
Shëndetësia falas sipas deputetes demokrate nuk ekziston, ndërsa për ministren Koçiu opozita po e përdor politikisht çështjen. Edhe Albana Koçiu ju shtua radhës së zyrtarëve të mazhorancës që deklarojnë parimin se përgjegjësia është individuale.
Ministrja Koçiu parashtroi ndryshimet ligjore që do të bëhen në urdhrin e mjekut, me qëllim frenimin e abuzimit të mjekëve që punojnë në shtet me dërgimin e pacientëve në privat. Por sipas demokratëve ato janë masa që jo vetëm nuk zgjidhin problemet e qytetarëve përballë sistemit tonë shëndetësor, por i thellojnë ato.
Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se javën e tretë të korrikut do të miratohet paketa e ndryshimeve ligjore që synon ashpërsimin e masave për mjekët që punojnë apo drejtojnë klinika private dhe ndëshkim për ata që dërgojnë pacientë nga sistemi publik në privat.
Ministria e Shëndetësisë nuk ka dhënë sqarime për mungesën e vazhdueshme të ilaçeve në spitale dhe veçanërisht në shërbimin onkologjik (A2 Televizion)